Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, konfirmoi se të hënën do të jenë në takimin që është ftuar nga kandidati për kryeministër Albin Kurti dhe pretenduesja për presidente Vjosa Osmani.
Pas mbledhjes së kryesisë së Aleancës që është mbajtur ditën e sotme, Gjini tha se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kreut të Vetëvendosjes.
“Sot kemi pasur konsulta të kryesisë edhe kryetari Haradinaj dhe Aleanca do t’i përgjigjen ftesës së z. Kurti dhe do të marrim pjesë ashtu siç është paraparë”, deklaroi Gjini para mediave
Mirëpo, sa i përket se a do të do të bëjnë kuorumin për çështjen e presidentit, Gjini thotë se ende nuk kanë marrë vendim.
“Me siguri se z. Kurti duhet të tregojë për natyrën e takimit. Ne do të marrim pjesë, është kulturë demokratike, është mënyrë normale e komunikimit. Rezultate të zgjedhjeve kemi, por demokracia është përgjegjësi e të gjithëve. Edhe njëherë duhet të them z. Kurti duhet të tregojë natyrën e takimit kur të zhvillohet dhe atëherë do të shohim si do të zhvillohet më tutje”, tha Gjini.
I pyetur nëse do të qëndrojnë në seancën e Kuvendit për të bërë kuorumin për Osmanin kur të votohet si presidente, Gjini tha se nuk kanë vendim as për këtë çështje.