Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Llaushë të Skenderajt kur bashkëshorti S.Q., 51-vjeç, ka qëlluar për vdekje gruan e tij, L.Q., 48-vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40.
“Nga hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të gruas së tij L.Q., 48-vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda, të njëjtën me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se viktima si pasojë e plagëve kishte vdekur”, thotë policia.
S.Q., që tashmë dyshohet për veprën “Vrasje e rëndë”, është arrestuar dhe nga i njëjti është sekuestruar një armë e llojit pistoletë me tre fishekë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë gëzhoja.
Pas intervistimit të dyshuarit S.Q, i është caktuar masa e ndalimit policor.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.