Dëshmitari i parë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, po dëgjohet edhe sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po iu përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtës.
Zenka Pumper, e cila është hetuese në ZPS dhe po dëshmon në këtë gjykim, ka thënë se dokumentet, të cilat i ka shqyrtuar kanë pasur përcaktimin si konfidenciale, por që nuk është në dijeni se kush ishin personat që kishin bërë një përcaktim të tillë.
Pumper ka thënë se para 25 shtatorit 2020, nuk ka parë asnjë dokument nga ajo që e ka konsideruar pastaj si paketa 1, meqë sipas saj, nga kjo datë edhe është përfshirë në hetimin e kësaj çështje.
Dëshmitarja i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees.
Avokati Rees: Keni parë ndonjë nga dokumentet që ishin në atë që e quani ju paketa1, përpara se të fillonit shqyrtimin, pak kohë pas 25 shtatorit?
Dëshmitarja Pumpe: Jo.
Avokati Rees: Asnjë dokument të vetëm?
Dëshmitarja Pumper: Nuk besoj që kam parë.
Avokati Rees: Në paragrafin 6 të deklaratës përshkruani paketën 1 si një paketë që kishte 891 faqe dokumentesh në anglisht, serbisht, gjermanisht. Ju flisni shumë mirë anglisht, besoj që flisni edhe gjermanisht, po serbisht flisni, apo kishin ndihmës që ju ndihmuan për të përkthyer dokumentet?
Dëshmitarja: Të dyja.
Avokati Rees: Kur e keni parë përkthimin, a keni mbajtur ndonjë shënim për përkthimet?
Dëshmitarja Pumper: Po, mbajtëm shënime.
Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.