Në ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës në Baza Gjinore, u shënua edhe fillimi i fushatës ndërkombëtare “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore.”
Për çdo vit, 16 ditët e aktivizmint, nga 25 nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Grave, e deri më 10 dhjetor, Dita e të Drejtave të Njeriut, janë një kohë për të inkurajuar veprime që i kontribuojnë dhënies fund të luftës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Me këtë rast, Zyra e UN Women në Kosovë, e organizoi ndriçimin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në ngjyrë portokalli e po ashtu në bashkëpunim me DAM Festival, organizoi një koncert si homazh për gratë në Kosovë që humbën jetën si pasojë e femicidit.
“Tema globale e këtij viti është “Ndal Dhunën ndaj Grave Tani” duke theksuar nevojën urgjente për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht gjatë krizave si pandemia COVID-19. Ngjyra zyrtare e fushatës, ajo portokalli simbolizon një të ardhme të ndritur dhe pa dhunë, për gratë dhe vajzat.
Prezente gjatë lansimit të fushatës në bibliotekë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u shpreh se dhuna me bazë gjinore mund të luftohet vetëm duke edukuar gjeneratat e reja dhe duke mbjellë kulturën e barazisë qysh herët tek djemtë e vajzat.
“Ndalimi i dhunës fillon me edukim, atë formal dhe joformal. Është detyrë e të gjithëve që t’i edukojmë brezat e ardhshëm pa norma të dëmshme gjinore, në mënyrë që gratë dhe vajzat të kenë një të ardhme më të mirë. Duhet të angazhojmë burra dhe djem në mënyrë që ata të kthehen në mbrojtës të të drejtave të grave dhe vajzave”.