Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se nuk pendohet për veprimet e tij përmes së cilave ka bërë të ditur se në organizatë kishin arritur dokumente nga një person i panjohur për tre herë me radhë.
Gjatë ditës së tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara, ai ka deklaruar se krerët e OVL-UÇK nuk kanë publikuar apo shumëzuar dokumente, veçse kanë bërë të ditur ngjarjen e arritjes së tyre dhe se përsëri do të vepronte njësoj.
“Do të më detyrosh të kërkoj prej gjyqit mos me më qit kurrë prej burgut deri të kryhet gjykata, sepse e paske në plan me na prurë prapë, e unë nuk mund të jem fajtor kujdestar sikur në Serbi, çka ndodh në Kosovë të merrem unë. Ti po e di që kanë me ardhur, e ke plan me na i pru? Njëjtë do të veproj sepse ende e kam mendimin e njëjtë, për aq sa kam vepruar që kam bërë drejt dhe e kam bërë në interes të transparencës dhe informimit publik”, ka thënë Haradinaj.
Ndër të tjera, gjatë seancës Haradinaj ka thënë se i kishin shfletuar dokumentet që kishin arritur në zyrat e organizatës, por nuk i kishin lexuar të gjitha dhe sipas tij aty kishte parë emrin e një personi për të cilin ka thënë se nuk do të kishte besuar asnjëherë të llogaritej dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.