Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj nuk ka pranuar të paraqitet në sallën e gjyqit në Hagë për t’u vetdeklaruar i fajshëm apo i pafajshëm. Avokati i tij, Toby Cadman ka thënë se refuzimi i Haradinajt për paraqitje vjen në shenjë proteste për mënyrën e trajtimit të tij në Hagë.
Gjykatësi i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou, në fillim të konferencës mbi ecurinë e çështjes së Haradinajt, ka bërë të ditur se ky i fundit nuk ka pranuar të paraqitët për vetdeklarim në Dhomat e Specializuara.
Guilluo: Haradinaj nuk pranoi të vetdeklarohet
“Më 6 janar pas kërkesës së avokatëve unë miratova që zoti Haradianj mos të ishte në pjesën e dytë të kësaj seanca dhe të merrte pjesë në video konferencë për t’u vetdeklaruar, në të njëjtën ditë avokati i zotit Haradinaj më informoi se klienti i tij nuk pranoi të ishte i pranishëm për t’u vetdeklaruar”, tha gjyqtari i procedurës paraprake.
E sipas avokatit Toby Cadman, Haradinaj e ka bërë këtë refuzim mbi bazën e protestës për mënyrën si është trajtuar në Hagë.
Cadman: Haradinaj nuk u paraqit në sallë në shenjë proteste
“Ne e kemi paraqitur me shkrim se pse zoti Haradinaj nuk ka pranuar të paraqitet, ai më ka thënë se nuk dëshiron të marrë pjesë mbi bazën e protestës për mënyrën si është trajtuar dhe që të bëhet një deklarim pafajësie në emër të tij dhe më ka thënë mua që të marrë pjesë në këtë seancë”, tha mbrojtja.
Në seancën e sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që gjykimi ndaj krerëve të OVL-UÇK të fillojë në pranverën e këtij viti, por mbrojtja ka kërkuar më shumë kohë.
Prokuroria ka përmendur 19 shkurtin si afat për nxjerrjen e materialeve të sekuestruara, ndërkohë avokatët kanë kërkuar që t’i marrin ato materiale në mënyrë që të mund të kryejnë përgatitjet e tyre.