13 mijë metra lart mbi tokë, lind fëmija i shëndoshë si molla!

13 mijë metra lart mbi tokë, lind fëmija i shëndoshë si molla!

Përgjatë fluturimit të aeroplanit të kompanisë turke, “Turkish” që ishte nisur prej Kongos për në Stamboll, sot në ora 05:25 minuta, në qiellin e hapur lind një fëmijë i shëndosh si molla, shkruan Kosova Post.

Sipas zyrës për informim të Turkish Airlines që e transmeton CNN Turk, në kohën kur po fluturonte aeroplani në një lartësi 13 mijë metra mbi tokë, nëna e quajtur Musuamba Michoukyembe me nacionalitet të Kongos kaplohet nga dhimbjet e padurueshme dhe kërkon ndihmë. Meqë ishte e pamundur të ktheheshin prapa, ekuipazhi i aeroplanit e ndihmon nënën në lindje. Dhe, fati kishte dashur që bashkëshorti i saj mjek, të qëllonte pranë saj.

Kështu, pas katër orë fluturimi në qiell, aty kah ora 10 e mëngjesit, aeroplani zbret në aeroportin e Stambollit dhe nga aty, nëna me fëmijën e sapolindur dërgohet në spital për trajtim të mëtutjeshëm.

Flitet tek ne se nëse një fëmijë lind në aeroplan, kompania e aeroplanit detyrohet t’i sigurojë fëmijës udhëtimin falas në të gjtha drejtimet dhe përgjatë gjithë jetës. Sa është e vërtetë kjo thënie, sigurisht se do të mësohet në të ardhmen nga djali i Musuamba Michoukyembe.

Po të kishte qenë kjo nënë, shqiptare, e udhës do të ishte që fëmijën lindur në qiell ta quanin, ose Shpend, ose Fluturim. Por edhe Fluturak do t’i shkonte për shtati..!