Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se ai kishte besuar për një kohë të gjatë se Presidenti Donald Trump nuk ishte i aftë për detyrën, por se i takon Kongresit të vendosë nëse do të ngrejë për së dyti akuza për shkarkimin e presidentit.
Zoti Biden u tha gazetarëve në një konferencë shtypi se ai ishte i përqendruar te frenimi i pandemisë COVID-19, te vaksinimi i shpejtë dhe te forcimi i ekonomisë.
“Ajo që Kongresi do të vendosë të bëjë, kjo u takon atyre por … ne do të na duhet të jemi gati të fillojmë menjëherë punën”, tha ai, kur u pyet në lidhje me legjislacionin që po përgatitet nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve për të ngritur akuza kundër Presidentit Trump për rolin e tij në nxitjen e dhunës ditën e mërkurë në Kapitol.
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve planifikojnë të paraqesin të hënën akuzat që mund të çojnë për herë të dytë në një proces për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, thanë dy burime që kishin dijeni për këtë çështje.
Deri më sot, nuk ka patur asnjë rast që ndaj një presidenti amerikan të ndërmerren dy herë procedura shkarkimi.
Por është e paqartë nëse ligjvënësit do të jenë në gjendje ta heqin zotin Trump nga posti, pasi akuzat që mund të ngrihen në Dhomën e Përfaqësuesve do të përfundonin në një gjyq në Senat, ku republikanët e tij kanë mjaft kontroll.
Zoti Biden tha se fakti që Presidenti Trump nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e tij më 20 janar “është një gjë e mirë.”
Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse nënpresidenti Mike Pence do të merrte pjesë në inaugurim, zoti Biden tha se zoti Pence “është i mirëseardhur,” por se nuk ka biseduar me të./VOA/