Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i Albin Kurtit, ka kritikuar vendimin e Qeverisë, sipas së cilit, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, duhet të paraqesin testin PCR negativ për Koronavirus të bërë në 72 orët e fundit, përcjell Kosova Post.
Gashi ka thënë se me këtë pikë të vendimit, Qeveria ka vendosur që ta mbajë në vetizolim diasporën, e cila është nisur për të ardhur në Kosovë, për zgjedhjet që do të mbahen të dielën. Sipas tij, qëllimi është që t’iu pamundësohet mërgimtarëve votimi.
“Me pikën 3, krejt diasporën që është nis me ardh në Kosovë po dojnë me mbajt në vetizolim për 7 ditë. Me ua pamundësu pjesëmarrjen në zgjedhje”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Sipas vendimit të lëshuar sot nga Qeveria, ata që hyjnë në Kosovë e që nuk kanë testin COVID-19, duhet të vetizolohen për shtatë ditë. Përjashtim këtu bëjnë qytetarët që kanë dalë nga Kosova në 24 orët e fundit.