Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett ka theksuar se qeveria amerikane e mbështet zotimin e Qeverisë së Kosovës që në pozita të rëndësishme të vendosen persona të kualifikuar.
Kështu theksoi Kosnett gjatë takimit që pati me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Në këtë takim, u shpreh vullnet për bashkëpunim që nga vlerësimi formativ e deri te ndërlidhja e arsimit me tregun e punës, duke përmendur këtu inkuadrimin e ish bursistëve të mbështetur nga Qeveria Amerikane.
Nagavci e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për programin qeverisës, ku objekt strategjik i tij, janë të gjitha fushat e arsimit në Kosovë ku theksoi se deri në vjeshtën e këtij viti do të krijohet programi për përfshirjen e profesorëve nga mërgata dhe e vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin me Fakultetin e Edukimit për t’u siguruar që programet e tij synojnë programe cilësore.
Postimi i plotë:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdimisht kanë dhënë përkrahje në avancimin e sistemit tonë arsimor, ndaj ndihem e lumtur që mbështetje për fushat me rëndësi të këtij sektori, morëm edhe sot.
Në një takim me ambasadorin amerikan, z. Philip Kosnett, zv.shefin e sektorit për marrëdhënie me publikun në ambasadë z. Ray Nayler, si dhe z. Matthew Cullinane përfaqësues nga USAID, diskutuam për programin tonë qeverisës, objektivat strategjike në fushën e arsimit, prioritetet dhe vazhdimin e bashkëpunimit.
Përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane shprehën vullnetin për bashkëpunim që nga vlerësimi formativ e deri te ndërlidhja e arsimit me tregun e punës, duke përmendur edhe inkuadrimin e ish bursistëve të mbështetur nga Qeveria Amerikane.
Sipas ambasadorit Kosnett, Qeveria Amerikane e mbështet zotimin e Qeverisë së Kosovës që në pozita të rëndësishme të vendosen persona të kualifikuar, gjë që është synim dhe zotim edhe në kabinetin tonë.
Në këtë takim shumë konstruktiv, diskutuam për funksionalizimi e Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për rëndësinë e përfshirjes sa më të madhe të kuadrove nga mërgata jonë, bashkëpunimin e shtuar me Fakultetin e Edukimit, zhvillimin e programeve që mundësojnë integrimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve tanë.
E gatshme për bashkëpunimin që Ambasadori Kosnett tregoi gadishmërinë për të vazhduar në fushat që janë me rëndësi për zhvillimin e vendit.