28 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë rrezikojnë të humbin mandatet!

28 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë rrezikojnë të humbin mandatet!

Për shkak të mos shkuarjes në seanca të rregullta në Parlamentin e Shqipërisë, gati gjysma e deputetëve shqiptarë rrezikohen t’i humbin mandatet e tyre. Ata, për herë të fundit kanë qenë në parlament me 19 korrik, që i bie se me 19 janar mbushen 6 muaj, shkruan Kosova Post.

Ndër politikanët që rrezikojnë mandatin e deputetit janë figurat kyçe të opozitës, si, kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-kryetari Sali Berisha, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, Kreu i LZHK Dashamir Shehi, Kreu i PBDNJ Vangjel Dule.

Ndërkohë që 33 deputetët e tjerë të PD e LSI ende kanë kohë për të mbrojtur mandatin pasi për shkak të strategjisë së opozitës për të mos braktisur çështjen e teatrit apo kauzën e vetingut të politikaneve kanë qenë pjesë e mbledhjeve te komisioneve parlamentare.

Sipas kushtetutës së Republikës së Shqiperisë “Mandati mbaron kur deputeti mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”. Ndër vite ka pasur gjithnjë debat mes juristëve e politikanëve se çfarë quhet mungese pa arsye, apo nëse periudhat e pushimit përllogariten tek afati, por në mungesë të ndonjë interpretimi final nga Gjykata Kushtetuese, në ndihmë vijnë precedentët.