370 teste të shpejta për koronavirus janë bërë të enjten në sheshin “Shatërvan” në Prizren nga ekipet mobile të shëndetësisë primare të kësaj komune.
Kryetari Mytaher Haskuka ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të identifikimit të personave të prekur dhe izolimit të sa më të shpejtë të tyre për të frenuar përhapjen e virusit, njofton Klan Kosova.
Përveç QKMF-së dhe QMF-së në lagjen “Bajram Curri” për shkak të rritjes së numrit të të prekurve nga COVID-19, Haskuka ka njoftuar se javën e kaluar kanë filluar realizimin e këtyre testeve edhe në QMF-të e fshatrave Gjonaj, Reçan, Korishë, Zhur si dhe në lagjet “Kurillë” dhe “Tusus”, e cila ka mundësuar edhe eliminimin e lëvizjeve të qytetarëve të prekur nga COVID-19.
“Ekipet mobile për realizimin e testeve rapide do të jenë prezentë edhe gjatë ditës së nesërme në sheshin “Shatërvan”, ndërkaq ne do të jemi gjithmonë në shërbim të qytetarëve, si komunë e cila ka realizuar numrin më të madh të testeve dhe e vetmja që ofron pakon e shërbimeve për COVID-19, ku përfshihen testet rapide, testet serologjike, testet e D-Dimer dhe analizat e tjera të nevojshme”.