Jovan Vukotiç, 42 vjeç, kreu i bandës famëkeqe të drogës me emrin Skaljari që vepronte në Malin e Zi është ekzekutuar në Turqi. Mediat shkruajnë se ai u qëllua për vdekje nga një motoçikletë teksa ishte në një makinë me gruan dhe vajzën e tij, transmeton KosovaPost.
“Shërbimet malazeze po përpiqen të marrin informacion dhe konfirmim nga kolegët në Turqi. Megjithatë, procedura është e ngadaltë”, tha Drejtoria e Policisë për radio Antena M.
Vukotiç ishte në arrati pasi autoritetet gjyqësore malazeze në shtator të vitit të kaluar lëshuan një ‘sinjal të kuq’ për arrestimin e tij.
Ai figuron në dosjet dhe dokumentet e policisë së Malit të Zi si një nga drejtuesit e bandës së drogës me qendër në qytetin e Kotorrit. Në vitin 2018 ai mohoi përfshirjen në trafikun e drogës.
Në dhjetor 2020, Prokuroria Speciale e Shtetit e akuzoi Vukotiçin për krijimin e një organizate kriminale dhe për përgatitjen e vrasjes së tre anëtarëve të bandës rivale të drogës, grupi i njohur me emrin Kavaç.
Sipas prokurorisë, Vukotiç planifikoi të vriste Slobodan Kascelan, lideri i bandës së Kavaçit, dhe Veljko Belivuk dhe Marko Miljkovic, krerët e një bande tjetër famëkeqe nga Serbia.
Vukotiç u akuzua si rezultat i provave të marra nga komunikimet e Sky ECC, të marra dhe të transmetuara nga policia franceze dhe holandeze, për krime që përfshijnë trafik droge, vrasje dhe rrëmbim.
Banda e Skaljarit është përfshirë në një luftë gjashtëvjeçare me bandën rivale të Kavaçit, po nga Kotorri. Të paktën 40 persona janë vrarë në Mal të Zi, Serbi, Austri dhe Greqi në konflikt. Të dyja bandat i kanë marrë emrat e tyre nga lagjet e Kotorrit. Konflikti nisi në vitin 2015, pasi 300 kilogramë kokainë u zhdukën nga një apartament në Valencia, Spanjë, në vitin 2014.
Në vitin 2018, Vukotiç u arrestua në Turqi dhe u ekstradua në Serbi, ku Gjykata e Lartë në Beograd e dënoi me 15 muaj burg për përdorimin e një pasaporte të falsifikuar maqedonase.
Në shkurt 2020, ai u ekstradua në Mal të Zi, ku u akuzua për tentativë vrasjeje të anëtarëve të bandës së Kavaçit. Por në korrik të atij viti Gjykata e Lartë në Podgoricë i hoqi akuzat dhe ai u lirua.
Mediat raportuan se anëtarët e bandës rivale u përpoqën të vrisnin Vukoticcin ndërsa ai ishte në burg në Mal të Zi, pas ekstradimit nga Serbia.
Një nga viktimat e luftës gjashtëvjeçare të bandave të drogës ishte vetë babai i Vukoticcit, Veselin=, i cili u vra në Kotorr, në mars 2019.
Krimi i organizuar ka rrënjë të thella në Malin e Zi, vend që ka shërbyer si një pikë tranziti për cigaret dhe drogat e paligjshme.