Obeziteti, të njohim dhe të luftojmë sëmundjen “moderne” !
Obeziteti tashmë ka arritur në nivele epidemie botërore ku sipas statistikave në USA rreth 1/3 e të rriturve janë obezë e më shumë se 2/3 janë mbipeshë. Mbipesha dhe obeziteti janë shkaktari i pestë i vdjekjeve në botë, rreth 2.8 milion njerëz vdesin në botë çdo vit si rezultat i të qenit obezë ose me mbipeshë. Më parë obeziteti konsiderohej si një sëmundje e vendeve me të ardhura të larta ekonomike, tashmë ai po rritet në mënyrë dramatike dhe në vendet me të ardhura të ulta dhe mesatare, ku përfshihet dhe vendi ynë. Në nivel kombëtar, 21.6 për qind e fëmijëve janë mbipeshë dhe 7.7 për qind e tyre janë obezë. Sipas grupmoshave do të vëmë re sërish të njëjtin trend, ku niveli i mbipeshës dhe i obezitetit tek djemtë është më i lartë se sa tek vajzat.
Problemet shëndetësore të shkaktuara nga mbipesha përbëjnë një barrë të rëndë, si për individin ashtu dhe për shoqërinë. Prandaj është e nevojshme dhe e domosdoshme parandalimi i tij që në moshë të vogël dhe marrja e masave paraprake. Pra, me zhvillimet teknologjike njerëzit kanë filluar të bëjnë një jetë pasive. Obeziteti është sot, një prej sëmundjeve më të përhapura dhe më shqetësueset në mbarë botën. Për shumë arsye, shifrat e të prekurve nga kjo patologji, apo shtimi në mënyrë të pakontrolluar të peshës, është përhapur me ritme të shpejta në vendet të cilat kanë zhvillim të lartë industrial. Me ritme të frikshme, kjo patologji është përhapur edhe në radhët e moshave të vogla, fëmijëve dhe kryesisht buron ose nga faktorët gjenetikë, ose nga kequshqyerja.
Shumë njerëz vuajnë nga obeziteti, mirëpo jo të gjithë e kanë të qartë konkretisht se çfarë përfaqëson kjo patologji, sa e rrezikshme është ajo në vetvete, por edhe se si obeziteti bëhet faktor kryesor në shfaqjen e sëmundjeve të tjera të rënda, sikurse është edhe diabeti, apo problemet me tensionin.
Obezitet quhet teprica e masës dhjamore të organizmit. Ai shkaktohet nga çekuilibri midis marrjes dhe shpenzimeve të kalorive. Kemi dy tipa të obezitetit: obezitetin android (mashkullor) dhe atë genoid (femëror). Ndjekja e obezitetit kërkon të bëhen një sërë ekzaminimesh për të përcaktuar etiologjinë, komplikacionet dhe mjekimin. Ka disa mënyra për matjen e masës dhjamore, ku përmenden matjet direkte të masës dhjamore, ku përfshihen densitometria, matja e ujit total, matja e kaliumit intraqelizor, skaneri dhe rezonanca, por këto janë metoda të shtrenjta dhe nuk përdoren në rutinë. Masa dhjamore normale është tek burrat 19 % të peshës së trupit, tek gratë 22 % të peshës së trupit. Matjet indirekte të masës dhjamore që janë dhe më të përdorshmet në praktikën klinike dhe konkretisht janë matja e palave të lëkurës dhe raporti i perimetrit abdominal/perimetri i vitheve. Një sëmundje e cila i tejkalon kufijtë e shqetësimit vetëm për pamjen fizike, obeziteti është ndër faktorët kryesorë i shumë sëmundjeve që prekin sot njerëzit, duke u kthyer në një ndër armikët kryesorë të shëndetit të mirë .