Një ditë pas shtyrjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se mbledhja do të mbahet sot, e diel, duke filluar në orën 11:00.
“Pas vendimit të Presidentes së Republikës për shtyrjen e zgjedhjeve dhe caktimn e datës së re për mbajtjen e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë hapat e mëtutjeshëm”, tha Elezi.
Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe konsensusit të plotë të dalë nga ky takim, ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se ka pasur konsensus të plotë mes partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit dhe se është marrë parasysh edhe vlerësimi i institucioneve kompetente rreth situatës së sigurisë në veri të vendit.
Vendimi i Presidentes udhëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në datën e re.