Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një njoftimi publik, ka bërë të ditur se tashmë janë vaksinuar 4200 nënpunës të institucioneve shëndetësore, shkruan Kosova Post.
Vaksinimi ka vijuar për moshat 80 dhe 84 vjeç. Ky është njoftimi i plotë:
“Vaksinimi kundër COVID-19 po vazhdon sot me vaksinimin e qytetarëve të grupmoshës mbi 80 vjeçe, fillimisht me personat mbi 85 vjeç, për të vazhduar pastaj me ata 80-84 vjeç.
Deri dje, mbi 4200 nëpunës të institucioneve shëndetësore kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19, ndërsa nga sot, procesi është shtrirë edhe te grupet e tjera prioritare sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19, përfshirë këtu të moshuarit dhe personat e vendosur në shtëpitë e kujdesit për të moshuar.
Ekipi menaxhues i procesit të vaksinimit në Prishtinë, përkrahur nga Komiteti për vaksinim kundër COVID-19, bashkë edhe me ekipet e njësive të vaksinimit anekënd Kosovës, vullnetarët, dhe kontribues të tjerë janë përfshirë në administrimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm në luftën e përbashkët kundër COVID-19.”/KosovaPost/