Operacioni i zgjeruar i Policisë së Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës, i shtrirë në disa rajone të Kosovës, ka përfunduar me sukses, transmeton Kosova Post.
Ai është realizuar pa probleme në shumë qytete, me përjashtim të Mitrovicës Veriore, ku është raportuar për disa incidente.
Policia e konfirmon se ka pasur sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe për këtë arsye ajo është detyruar të ndërmarr masa më të ashpra, për të ofruar siguri për pjesëtarët e përfshirë në operacion.
“Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar” – thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar për media.
Kjo është komunikata e plotë:
Realizohet operacioni policor dhe situata qetësohet në pjesën veriore të Mitrovicës
Prishtinë, më 13 tetor 2021, ora 12:00
Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë Veri grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare.
Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë.
Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.
Deri në këtë fazë janë arrestuar dhe shoqëruar tetë (8) persona;
R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës,
A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës,
M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu,
M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri,
I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri,
M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri,
Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj.
Operacioni policor ka përfunduar, situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar, përderisa veprimet e mëtejme policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë.
Prishtinë, më 13 tetor 2021, ora 09.30
Policia e Kosovës, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike për parandalim të veprave penale, konkretisht luftën e pa kompromis ndaj kontrabandës së mallrave, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri.
Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me Prokuroritë dhe Gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj.
Në këtë operacion policor i cili është ende duke vazhduar janë angazhuar Dogana e Kosovës dhe njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat janë në mbështetje dhe përkrahje të këtij operacioni policor.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale policore dhe të Doganës së Kosovës, deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale./KosovaPost/