60.000 kilogramë mish është importuar nga kompania belge “Veviba”

60.000 kilogramë mish është importuar nga kompania belge “Veviba”

Agjencia e ushqimit (AUV) e cila është përgjegjëse për sigurinë e ushqimit, nuk ka verëjtur se mishi është 12 vjet i vjetër. Sipas ligjeve evropiane asnjë mish i ngrirë më i vjetër se tri vjet nuk lejohet të përdoret.

Edhe pse Ministria e Tregtisë thotë që është duke e hetuar kompaninë “Euro Ida”, asnjë veprim konkret deri më tani nuk është bërë nga prokuroria apo Qeveria ndaj kompanisë apo AUV-it.

Mishi i importuar prej firmës “Veviba” nga Belgjika, ka ngjallë reagime nga qytetarët dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që kanë konsideruar njërin prej skandaleve më të mëdha me produktet ushqimore për rrezikun e shëndetit të qytetarëve në vend.

Deputeti Bekim Haxhiu për këtë skandal me mish të vjetër 12 vjet, ka thënë se është me rëndësi shumë të bëhen publike nga Dogana e Kosovës se sa ka hyrë mallë i tillë nga kjo kompani “Veviba”, para vitit 2016.

Haxhiu: Dogana duhet të jetë transparente për skandalin me mish

“Doganat e Kosovës e kanë për obligim që të bëjnë publike dhe transparente, sepse një sasi prej 200 mijë kilogramë, është të paktën 1 milion e 200 mijë racione ushqimore dhe kjo paraqet një rrezikim të shëndetit në masë. Është më se e nevojshme që të ndërhyhet edhe në përmirësimin e legjislacionit, e në veçanti të Kodit penal, sepse tregtimi, falsifikimi dhe keqpërdorimi i produkteve ushqimore dhe i produkteve farmaceutike dhe barnave sipas Kodit penal të Kosovës është i dënueshëm deri në tri vite”, ka thënë Haxhiu.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KosovaPress se firma belge “Veviba”, ka pasur tri importe në Kosovë, të cilat kanë qenë në sasi totale rreth 60 mijë kilogramë.

Stavileci: Prej “Veviba” nuk ka pasur importe para vitit 2016

“Sipas të dhënave që posedon Dogana e Kosovës për zhdoganim, kjo komani(Viviba) nuk ka pasur importe para vitit 2016, kurse në vitin 2016 që përputhet edhe me kohën e shkatërrimit apo zbulimit të këtij skandali, vërehet që ka pasur tri importe në Kosovë, të cilat kanë qenë në sasi totale rreth 60 mijë kilogramë”, ka thënë Stavileci.

Deputeti Bekim Haxhiu, përveç se ka kërkuar të hetohet kompania “Euro Ida” nga Rahoveci, ka thënë se problem serioz dhe shqetësues mbetet edhe mos respektimi dhe zbatimi i MSA-së me detyrime ndërkombëtare.

Haxhiu: Belgjika duhet ta di se Kosova ka nënshkruar MSA-në

“Ky është një problem shumë serioz dhe shqetësues, sepse kur Kosova ka nënshkruar MSA-në, obligimet dhe detyrimet janë të dy anshme jo vetëm të Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë, por edhe të atyre në raport me Kosovën”, ka thënë deputeti Haxhiu.

Për hetimin e kompanisë Euro Ida që kishte pranuar mishin e vjetër nga kompania belge, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka thënë se kanë formuar një Grup Punues për hetimin e kompanisë “Euro Ida” nga Rahoveci, lidhur me mishin e vjetër të pranuar nga Veviba.

Hasani: Jemi duke hetuar kompaninë Euro Ida

“Ne i kemi disa informacione, kemi vendos njërit në kontakt, të shohim se çka bëhet fjalë. Sa i përket cilësisë është komtencë e AVUK-t, për gjëra të tjera ne do t’i adresojmë me kohë dhe kemi formuar një Grup punues që ta sheh se çfarë ka ndodhur vërtet më atë kompani”, ka thënë ministri Hasani.

Ibrahim Tërshnjaku nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka thënë se masa kanë marrë për të gjithë kompanitë importuese me mish jo cilësor.

Ndërsa, KosovaPress ka tentuar të kontaktoi pronarin e Eruro Ida, Driton Jup nga Rahoveci, por s’ka qenë i qasshëm.

Ndryshe, sipas Adriatik Stavilecit nga Dogana e Kosovës brenda vitit mesatarja e importit të mishit prej Belgjikës është 200 mijë kilogram.

Në total sasia e importit të mishit në Kosovë brenda një viti është rreth 40 milionë kilogramë. Pjesa më e madhe prej 30 milionë, është me mish të pulës, kurse pjesa tjetër është mishi i gjedhit.

Skandali i mishit të prishur është zbuluar në Belgjikë nga Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) javën e kaluar. Ky skandal ka prekur edhe shumë vende të Evropës që dyshohet se kanë konsumuar këtë lloj mishi.

E paprekur nuk ka mbetur edhe Kosova.