Njeriu që ëndërronte të bëhej pilot që kur ishte i vogël në Jordani, tani mund të fluturojë në të gjithë botën me kabinën që ka ndërtuar në shtëpi, transmeton KosovaPost.
Duke folur për agjencinë franceze të lajmeve AFP, Mohammed Malhas tha: “Që në kohët më të hershme, ne kemi parë zogjtë në qiell dhe kemi ëndërruar të fluturojmë lirshëm. Dëshira dhe dashuria për të fluturuar filloi të bëhej obsesive për mua”.
Malhas, i cili studioi menaxhim spitalor në një universitet në Londër, kryeqyteti i Mbretërisë së Bashkuar, më vonë punoi me të atin në një spital të krijuar nga familja e tij në Aman, kryeqyteti i Jordanisë. Malhas, 76 vjeç, tha se ai shpesh lexonte libra mbi aviacionin dhe inxhinierinë dhe përpiqej të mësonte të fluturonte. Duke deklaruar se ai hyri në Akademinë Mbretërore Jordaniane të Aviacionit në 1976 dhe mori mësime, Malhas deklaroi se ai gjithashtu fitoi licencën e tij të fluturimit në 1978.
Tani në pension, Malhas organizon simulime fluturimi me një kabinë që ai projektoi në bodrumin e shtëpisë së tij. I projektuar si një kopje e kabinës së Boeing 737-800, simulatori përmban tre ekrane të mëdhenj dhe një ekran me shumë butona. Kabina përfundoi në tre vjet dhe kushtoi rreth 16 mijë euro në total.
Duke thënë se ka projektuar kabinën me mbështetjen e miqve të tij inxhinierë elektronikë, Malhas deklaroi se gruaja e tij ndonjëherë i bashkohej gjatë fluturimeve të tij. “Është e mahnitshme të fluturosh dhe të ndjesh kënaqësinë e fluturimit në të gjithë botën ndërsa je ulur në shtëpi”, tha Malhas