Nga sulmi që ka shënjestruar autokolonën që transportonte civilë dhe forca të sigurisë të mërkurën në rrethin Soum, kanë humbur jetën 15 ushtarë dhe 65 civilë, transmeton Kosova Post.
Të paktën 80 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmit terrorist në rajonin Sahel të shtetit afrikan Burkina Faso, shkruan AA.
Në njoftimin e bërë nga Ministria e Komunikimeve, thuhet se nga sulmi që ka shënjestruar autokolonën që transportonte civilë dhe forca të sigurisë të mërkurën në rrethin Soum, kanë humbur jetën 15 ushtarë dhe 65 civilë.
Më tej bëhet e ditur se pas sulmit janë neutralizuar 80 terroristë.
Presidenti i vendit, Roch Marc Christian Kabore, pas sulmit kishte shpallur ditë zie kombëtare 72 orëshe.
Mali, Nigeri dhe Burkina Faso që njihen si “kufiri i tre vendeve” në rajonin Sahel, vitet e fundit përballen me sulmet e organizatës terroriste DEASH dhe grupeve të lidhura me organizatën terroriste Al-Kaeda.
Sulmet e organizatave terroriste në Mali vazhdojnë edhe pse në vend misionet e huaja ushtarake janë të vendosura që prej vitit 2013 e deri më tani.
Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që nga fillimi i vitit 17.500 persona u detyruan të braktisin vendin për shkak të çështjes së sigurisë.