Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Prishtinë, nuk e ka mohuar se mund të ketë një koalicion për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, nëse do të ketë një ofertë të tillë nga kjo e fundit.
Kështu ka thënë ish-kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj.
Për herë të parë pas zgjedhjeve, Haradinaj ka folur për Demokracia.com rreth raportimeve se emri i tij është lakuar për postin e nënkryetarit të komunës së Prishtinës.
Ai ka thënë se do ta shqyrtojnë nëse marrin një ofertë të tillë, duke lënë të hapur mundësin për koalicion me LDK-në.Haradinaj po ashtu ka njoftuar se dega e AAK-së do të mblidhet në ora 17:00, për të diskutuar për këtë çështje.
“Deri tani nuk kemi pas asnjë ofertë të tillë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nëse do të ketë ndonjë ofertë sigurisht që do ta shqyrtojmë. Ne në ora 17:00 kemi një takim me degën e AAK-së, ende nuk kemi asnjë vendim të ri”, ka thënë Haradinaj.
Ndryshe, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama e ka thirrur seancën për zgjedhjen e kryesuesit të asamblesë për të mërkurën më 5 janar.