Sot në orët e hershme të paradites ka ndërruar jetë Fazli Veseli, babai i Kadri Veselit, ish Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili aktualisht po gjykohet në Hagë, shkruan Kosova Post.
Në njoftimin mortor të familjes, thuhet se ai ka ndërruar jetë në moshën 94 vjeçare dhe se varrimi i tij do të bëhet sot pasdite:
“Të dashur familjarë e miq, Me pikëllim të thellë, ju njoftojmë se sot, në moshën 94 vjeçare, ndërroi jetë babi, gjyshi ynë Fazi Veseli. Varrimi bëhet sot, në orën 19:00, në vendlindjen e tij, në Broboniq të Mitrovicës.”
Besohet se arsyeja e caktimit të orës së varrimit kaq vonë (ora 19:00), ka të bëjë me pjesëmarrjen e Kadri Veselit në ceremoninë e varrimit.
Ndonëse nuk ka asgjë zyrtare në këtë drejtim, burime të Kosova Post, thonë se ai pritet të marr pjesë në ceremoninë e varrimit.
Në lidhje me këtë çështje Kosova Post ka bërë përpjekje që të marr informacione nga vetë Dhomat e Specializuara. Megjithëse nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të qartë, kanë theksuar se:
“Të gjitha parashtrimet publike janë në dispozicion në faqen tonë të internetit.”
Ua kujtojmë që Gjykata e Hagës ia pat lejuar Veselit që ta vizitojë familjen e tij, pikërisht shkaku i përkeqësimit shëndetësor të babait të tij./KosovaPost/