A do të ‘thyhet’ LDK-ja nga ‘lutjet’ për të marrë pjesë në dialogun me Serbinë?

A do të ‘thyhet’ LDK-ja nga ‘lutjet’ për të marrë pjesë në dialogun me Serbinë?

Shkruan: Fadil Pushkolli

Qeveria e Kosovës ka krijuar Ekipin Shtetëror të Dialogut me Serbinë, për t’ia dal mbanë sfidës së këtij viti, që nuk do të jetë aspak e lehtë, por ky ekip megjithatë ka mbetur i mangët, derisa opozita, LDK dhe Vetëvendosje nuk janë pjesë e tij.

Ndonëse, Qeveria e Kosovës, presidenca, madje edhe shtetet e QUINT-it, e kanë përshëndetur formimin e Ekipit Negociator, këta të fundit kanë bërë thirrje, që pjesë e dialogut të jetë edhe opozita, me theks, LDK-ja. E, për ta realizuar këtë, koalicioni qeverisës ka bërë përpjekje të vazhdueshme që ta bindin opozitën t’i bashkohen Ekipit Negociator, por që, deri më tani, të gjitha përpjekjet kanë dështuar. LDK dhe Vetëvendosje asnjëherë nuk i janë përgjigjur ftesave për arritjen e konsensusit ndërpartiak për dialogun përfundimtar me Serbinë.

Pra, LDK e Vetëvendosje, as edhe njëherë nuk e çanë kokën për thirrjet e kryeparlamentarit Veseli për debat e arritje të konsensusit. Madje LDK e Vetëvendosje, bojkotuan edhe takimin e thirrur nga  Kadri Veseli, pjesë e të cilit takim ishin edhe shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, Presidenti Hashim Thaçi dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Mos përfshirja e partive opozitare në dialogun me Serbinë, duket të jetë shqetësim për të gjithë për faktin se pa LDK-në e Vetëvendosjen , nuk do të mund të miratohet marrëveshja e arritur me Serbinë. Mbetet të shihet nëse LDK-ja, do të “bindet, që ti bashkohet  Ekipit të Kosovës, por aq më pak besohet se këtij ekipi do i bashkohet Vetëvendosje.

Se mund të flasim për një “bindje” të LDK-së dhe ajo t’i bashkohet ekipit të dialogut me Serbinë, nuk do mend, derisa këtë subjekt tradicionalisht e kemi të njohur si parti e bashkëpunimit e kompromiseve në interes shtetëror para interesit partiak.

Marrë parasysh se LDK-ja është parti e cila filozofi ka zgjidhjen e problemeve përmes dialogut, atëherë besohet se ky subjekt do t’i bashkohet negociatave i cila ka një legjitimitet të fuqishëm në Kuvendin e Kosovës.

Pra, mbetet të shihet nëse LDK-ja do të “bindet”, të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, dhe se kjo detyrë duket se u ka mbetur ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, meqë këtë nuk arriti ta bëjë koalicioni qeverisës.

Se a do të ketë takime konsultative ndërmjet LDK-së dhe ambasadorit  amerikan, mbase edhe me ambasadorët e  vendeve të tjera evropiane, e kanë konfirmuar jo zyrtarisht edhe burime brenda Qeverisë së Kosovës, derisa shprehen optimist se pas konsultimeve të tilla do të  “bindet”, LDK-ja të jetë pjesë e dialogut.

Kujtojmë kështu se takimi ndërmjet liderit të LDK-së Isa Mustafës dhe ambasadorit të SHBA-së Filip Kosnett tashmë ka ndodhur, por nuk dihet nëse në atë takim është biseduar edhe për përfshirjen LDK-së në dialog, mbase takime të radhës do të ketë edhe në ditët në vijim.