Kosovarët pritet të shkojnë deri te kutitë e votimit, edhe një herë brenda këtij viti. Bëhet fjalë për Zgjedhjet Lokale 2021, të cilat pritet të mbahen diku në vjeshtë, e për të cilat partitë politike i kanë filluar përgatitjet qysh tash, shkruan Kosova Post.
Disa nga subjektet politike, të detyruara edhe nga rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, i kanë filluar reformat e brendshme. Por me këto reforma e me këto përgatitje, ato po synojnë të bëhen gati edhe për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në fund të vitit.
Në opinionin publik, qysh tani, kanë filluar të qarkullojnë emra se kush mund të jenë kandidatët të cilët do t’i hyjnë garës për të parin e kryeqytetit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është e partia e parë e cila e ka bërë të njohur kandidatin për të parin e kryeqytetit. Vetë Ramush Haradinaj, njoftoi që “pas konsultimeve të vazhdueshme, me kënaqësi ju njoftoj për kandidaturën e Aleancës për kryeqytetin”, duke e zbuluar kështu emrin e vëllait të tij, z. Daut Haradinaj.
Nga partitë e tjera ngurrojnë të japin emra, meqë, sipas tyre “është ende herët për të vendosur për kandidatët e komunave”, ndonëse shenjat janë që ato kanë filluar të preokupohen me këtë çështje.
Nga Lëvizja Vetëvendosje (LV), e cila korri një sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, është përmendur Arben Vitia, aktualisht Ministër i Shëndetësisë. Megjithatë, ende nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me këtë. Ndonëse rikthimi i kryeqytetit nën udhëheqjen e partisë, do të jetë një tjetër mision i radhës, emri i kandidatit është larg të zbulohet.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është përmendur emri i Lumir Abdixhikut, por kjo përpara se ai të zgjidhej kryetar i saj. Burime të Kosova Post konfirmojnë që “ambicia” e Abdixhikut për ta pushtuar kryeqytetin, është zbutur dhe për më tepër ai nuk do të guxojë ta rrezikojë reputacionin të cilin veç ka filluar ta ndërtojë si reformator i LDK-së. Këto ditë është spekuluar se për këtë pozitë, ky subjekt, do ta nominojë Vlora Dumoshin, ish Ministre e Kulturës.
Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është përfolur qe një kohë të gjatë emri i Uran Ismailit, aktualisht deputet i PDK-së dhe ish Ministër i Shëndetësisë.
Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është përfolur qe një kohë të gjatë emri i Uran Ismailit, aktualisht deputet i PDK-së dhe ish Ministër i Shëndetësisë. Ka spekulime se edhe Vlora Çitaku mund të nominohet si kandidate nga kjo parti, por sikurse në rastet e tjera, asgjë nuk është definitive, e aq më pak zyrtare.
Po ashtu, edhe Shpend Ahmeti, Kryetari aktual i Prishtinës, nuk ka treguar nëse do t’i sfidojë rivalët e mundshëm edhe për herën e tretë.
Gara për Prishtinën, e veçantë – thonë analistët
“Fitorja e kryeqytetit nga çdo parti tjetër, përveç LV-së, nënkupton ekzistencë, vazhdimësi dhe rikthim në skenën politike” – konstaton njohësi i zhvillimeve politike në vend Gurakuç Kuçi.
Për më shumë Dr. Kuçi për Kosova Post tha që një fitore e tillë, cilësdo parti, do t’i “jepte mundësinë që zëri i tyre si subjekt politik të ndikojë psikologjikisht në masë, në opozitarizëm nda qeverisë dhe zbutjen e psikozës superiore të pushtetit nga pozita qeveritare.”
Pra fitorja në Prishtinë për secilën nga partitë opozitarë është ngjashëm sikur marrja e Jerusalemit. kjo ndikonnë rikthimin e një mase të reputacionit dhe identitetit. Fitorja e LV-së në kryeqytet nënkupton se veprimet e tyre janë karshi interesave të qytetarëve dhe partitë tjera nuk përbëjnë ndonjë faktor alternativ por vetëm si parti që duhet larguar dhe zhdukur dhe se atyre do u bie krejtësisht legjitimiteti e madje edhe legaliteti.”
Analisti politik Florim Zeqa, nga ana tjetër, pret një garë interesante ndërmjet subjekteve politike. Për Kosova Post ai tha që gara është e rëndësishme sidomos për partitë humbëse të zgjedhjeve të fundit parlamentare.
“Secila nga partitë humbëse të zgjedhjeve të 14 shkurtit do të përpiqet të rikuperoj humbjen dhe kthimin e besimit tek elektorati i saj. Secila komunë është e rëndësishme, por komuna e Prishtinës është esenciale për secilën parti politike, jo vetëm për përqendrimin e madh të popullatës, por edhe për shkak të specifikave të veçanta që ka kryeqyteti. Ndërlidhja e pushtetit qendror me atë lokal në njërën anë dhe fuqia e interferimit mediatik dhe përfaqësimit diplomatik ia shton vlerën e votës së cilës parti në kryeqytet. Prandaj gara për të parin e Prishtinës do të jetë e fortë dhe tepër interesante. ” – u shpreh Zeqa.
Arsyet se pse fitorja në Prishtinë është e rëndësishme për partitë politike, janë të shumta sipas Zeqës dhe ato ndërlidhen me një varg faktorësh:
“Ai kandidat apo ajo parti politike që e fiton Prishtinën e ka në dorë një pjesë të konsiderueshme të pushtetit qendrorë dhe do ta ketë pas vetës edhe përqendrimin mediatik, për shkak se të gjitha aktivitetet e rëndësishme kulturore dhe sportive të vendit tonë zhvillohen në kryeqytet. Për secilën parti politike fitorja në kryeqytet do të thotë kthesë dhe shpresë për ngritje dhe anasjelltas, ajo parti që e ka humbur Prishtinën e ka marrë tatëpjetën politike. Për ketë arsye, të gjitha partitë humbëse të zgjedhjeve të 14 shkurtit do ta synojnë fitoren në kryeqytet, për ta dëshmuar forcën dhe kthyer besueshmërinë tek elektorati i saj.”
Sikurse Zeqa, edhe Kuçi konsideron se fitorja në zgjedhjet lokale në kryeqytet, do të peshonte shumë për cilëndo nga partitë, por sipas këtij të fundit, kur bëhet fjalë për Vetëvendosjen ajo nënkupton edhe diçka më tepër:
“Fitorja në Prishtinë për LVV-në nënkupton rritje autoriteti dhe legjitimiteti edhe në një kuadër tjetër, deri në instanca ndërkombëtare, si i vetmi subjekt me reputacion në Kosovë.”
Në Zgjedhjet Lokale 2017-të, Shpend Ahmeti i pat mundur rivalët e tij në garën për të parin e Prishtinës, duke grumbulluar 43.61% të votave. Por jo shumë larg tij qe renditur Arban Abrashi me 37.79% të votave. Kësaj radhe, shenjat tregojnë se gara do të jetë edhe më e ashpër./I.Topanica/KosovaPost/