Ndërsa kaloja anames shëtitoreve të kryeqytetit dhe po e kryeja rutinën e nxitimit për në shtëpi, më parakaloi një tip i gjatë, 15, 16 vjeç me kufje në vesh, pa pasur dertin se… mund të përplaseshim me njëri tjetrin. Nuk qe çast tamam përdëllimi, por s’mund të mos e them se ndjeva keqardhje për të, meqë aty për aty më lindi pyetja retorike: çfarë dreqin po ndodh me gjeneratat e reja? Nga brezat e vonshëm të lindur pasluftës, shpesh më është krijuar përshtypja që ka shtresa të rinjsh e të rejash, që jetojnë në realitete tjera (imagjinare), larg atij që i përket mjerimit tonë të përditshëm. Natyrisht, perceptimi është sipërfaqësor, prandaj mund të mos jetë fare i qëndrueshëm.
Shkruan: Imer Topanica
Si shpesh m’i kapë veshi frazat e bisedave që e vërtetojnë këtë shkëputje “frapante” të të rinjve nga brezat e vonshëm të pasluftës. «Kida ja ka vjedh stilin!» – i thoshte njëra bashkudhëtares së saj, me gjasë, të dyja studente, në autobusin e linjës me të cilin udhëtoj çdo ditë. Kureshtja më shtyri të googloja për të kuptuar se për kë e kishin llafin. 30, 35 kilometra këta të rinj i kalojnë për 40 minuta (mesatarisht), dhe kohën e shfrytëzojnë për muhabete të tilla. Hip-hop, Rap, R&B e më pak zhanre të tjera, përkufizojnë shijen e tyre muzikore. Top këngëtarët vendorë më të ndjekur, s’ofrojnë shumë varietete estetike muzikore në produktet që ofrojnë (sidomos ata hip-hop e rap). Temat që ata i trajtojnë, leksiku, shpesh vulgar, që e përdorin në tekstet e këngëve, është mjaft i kufizuar. Dhuna, seksi, droga janë lajtmotivet kryesore.
Në të rrallë të kap syri ndonjë me libër në dorë ose me laptop në prehër duke u përpjekur të shkruaj ndonjë gjë të mençur. Çuditërisht, dje e hasa një të tillë…
Kontekst kompleks…
Fakt: që të mos tingëllon kjo si pesimizëm, duhet vënë në dukje një gjë, këta breza parë nga pikëpamja kulturore, janë më heterogjenë se sa brezat tonë të paraluftës. Ka një shtresë lexuesish, për shembull, që konsumojnë me etje literaturë ndërkombëtare. Shoh se si nëpër grupe të shumta në rrjetet sociale, u sugjerojnë të tjerëve libra autorësh kryesisht të huaj. Nëse ndonjë lavdëron autorët shqiptarë, më parë priret t’i përmend disa autorë të para dy dekadave. Kjo, mbase vjen, për arsye se përveç ndërrimit të sistemit politik, periudha e tanzicionit ka qenë fatale për letërsinë vendore. Ajo është luftuar institucionalisht (e pata thënë edhe një herë tjetër). Veç t’i kujtosh disa nga autorët e laureuar nga vetë Ministria e Kulturës, librat e të cilëve më shumë ta kanë «hidhëtue leximin, fye inteligjencën a tjetërqysh ftohë supën», kjo të mjafton për ta forcuar argumentin.
Katedra e Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, autorët e librave didaktikë mbi letërsinë, duke e shfrytëzuar autoritetin që ua ka dhënë politika, kanë qenë vetë censorë të këqij, duke i anatemuar disa nga personalitetet e njohura nga bota e letërsisë. Kuptohet kjo është një temë tjetër, e parrahur dhe e gjerë.
Në realitet…
Në libraritë online, të cilat kanë shpërthyer si kërpudhat në periudhën e pandemisë, librat më të kërkuar janë ata të përkthyer nga letërsitë e huaja, e kjo do të thotë se kultura jonë, s’është veçse një viktimë e rendit të ri që e ka imponuar “fshati global”.
Grupet: Maniakë t’leximit – me 37, 606 anëtarë; Maniakë t’librit – me 20, 991 anëtarë – në Facebook, të pasuara nga llogari të ngjashme në Instagram, sikuse bie fjala maniaket_e_librit që ka 57.5k followers-a, janë platforma mjaft të përshtatshme për ta studiuar shijen e këtyre të rinjve.
Letërsia e vonshme e post-pavarësisë, nuk është aq e varfër, por industria e librit ka pësuar një goditje aq të rëndë, sa që “indet” e saj, vështirë do të rigjenerohen në sistemin e ri të vlerave, i cili, konsideroj, ende nuk ka themele të forta.
Fakt: shtëpi botuese ka mjaft. Si biznese, ato mbijetojnë kryesisht nga fondet mbështetëse që i ndanë qeveria, ose nga të hyrat që paguajnë vetë autorët për librat që duan t’i botojnë. Përfitimet nga shitja e librave, përgjithësisht janë të vogla, përveç nëse bëhet fjalë për autorë të huaj.
Marketingu i librit, e për rrjedhojë edhe i letërsisë që kultivohet këtu, është orientuar kryesisht në platformat elektronike, në rrjetet sociale, në grupet e mbyllura, siç janë ato që i përmendëm më sipër. Programet televizive që u kushtohen këtyre zhvillimeve, janë të pakta dhe kryesisht përjashtojnë frymën analitike e kritike ndaj librit. Diskutimet mbi vlerat letrare, nuk banojnë më në këto media. Në rrjetet sociale, po, mund të hasësh në diskutime, polemika etj, ndonjëherë edhe shteruese për disa gjëra, por është vështirë t’i klasifikosh. Në këtë kontekst kompleks social e kulturor, një lexues, e ka më të lehtë të orientohet tek literatura e huaj, se sa ajo vendore.
Më duket e thash disa herë, kjo është një çështje që do më shumë kohë për ta studiuar, analizuar e mandej komentuar. Megjithatë, duket se një pjesë e të rinjve, nuk bashkëjetojnë me ne, sidomos në kuptimin kulturor. Këtë përshtypje e pata kur një tip i gjatë, 15, 16 vjeç me kufje në vesh, ma preu rrugën vrullshëm, pa pasur dertin se… mund të përplaseshim me njëri tjetrin. Ju siguroj që nuk qe çast tamam përdëllimi!