Qëndrimi parimor i Serbisë është të ndjekë një politikë të neutralitetit ushtarak dhe nuk ka plane për t’u anëtarësuar në NATO, por gjithashtu as NATO, nuk ka plan të fshehtë për ta anëtarësuar Serbinë, tha kryetari i parlamentit serb, Ivica Daçiq, transmeton Kosova Post.
“Është gjithashtu detyrimi ynë ligjor, por është gjithashtu një pasqyrim i disponimit të shumicës dërrmuese të qytetarëve tanë,” vuri në dukje Daçiq në hapjen e seminarit të 101-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, “Integrimi Euro-Atlantik, partneriteti për paqen dhe hapat e mëtejshëm për përballje me sfidat e mbetura në Ballkanin Perëndimor”, i cili do të zgjasë deri më 17 nëntor.
Ai shtoi se ky qëndrim i Serbisë më së miri pasqyron pikëpamjen e saj për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare të sigurisë.
Daçiq thotë se i vjen mirë që NATO-ja e respekton përkushtimin e Serbisë dhe nuk e sheh si pengesë për bashkëpunim intensiv dhe cilësor në interes të përbashkët.
Ai tha se anëtarësimi i Serbisë në Partneritetin për Paqe është korniza optimale për bashkëpunimin e Serbisë me NATO-n dhe ofron mundësi të mjaftueshme për të arritur interesat e përbashkëta kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, pjesëmarrjen në iniciativat e paqes dhe, në përgjithësi, në ndërtim e të ardhmes së popujve.
Daçiq tha se është e qartë se Serbia po ballafaqohet me probleme të shpeshta të sigurisë në zonën e Kosovës, ku serbët ishin kryesisht të rrezikuar dhe se qeveria në Prishtinë ishte gjenerator i kërcënimeve të vazhdueshme të sigurisë.
Ai kujtoi veprimet e fundit jolegjitime të njësive speciale nga Prishtina në veri të Kosovës dhe shtoi se veprime të tilla, të cilat shoqërohen me hapa të vazhdueshëm të formimit dhe pajisjes së forcave të armatosura të Kosovës, janë kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe gjithë rajonit.
“Fakti që Serbia tregon durim dhe përmbajtje të madhe me këtë rast nuk duhet të mashtrojë askënd që të mendojë se është e pavendosur për mbrojtjen e popullatës së saj në Kosovë”, tha Daçiq, shkruan sputnik.Përkundrazi, shtoi ai, ky qëndrim tregon vetëm forcën dhe vendosmërinë e Serbisë që këtë çështje ta zgjidhë ekskluzivisht me mjete politike dhe diplomatike, sepse kjo është e vetmja rrugë për kompromis dhe drejt rregullimit të përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.sh.o./Kosova Post/