Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, për verifikimin në mënyrë më rigoroze të personave që jetojnë jashtë Kosove dhe regjistrohen si votues me postë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka ngjallur reagime të ashpëra.
Ani pse ky vendim i KQZ-së është marrë nga të gjitha partitë politike të pranishme, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, zyrtarë të kësaj partie, kanë dalur kundër këtij vendimi.
E para që reagoi ashpër ndaj vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor, ishte Albulena Haxhiu, zyrtare e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-ministre e Drejtësisë.
Madje, është përmendur mundësia që Lëvizja Vetëvendosje të bëjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me qëllim anulimin e këtij vendimi të KQZ-së.
Kryeshefi i PZAP-së, Mulë Desku, ka konfirmuar se deri më tani nuk ka ardhur asnjë ankesë tek institucioni që ai drejton, lidhur me vendimin e KQZ-së. Desku u shpreh se nëse eventualisht shkon ndonjë ankesë tek ta, rreth vendimit të djeshëm të KQZ-së, vendimi do të merret nga paneli i PZAP-së.
Ai sqaron se ankesat e tilla zakonisht bëhen 24 orë pas vendimeve dhe rrjedhimisht ende ka kohë për t’u bërë një gjë e tillë.
“VV mund të bëjë ankesë kundër vendimit të KQZ-së, por a është i ligjshëm apo jo i ligjshëm ai vendim, vendos paneli i PZAP-së. Deri në këto momente në zyret e PZAP-së, nuk ka një ankesë të tillë, por zakonisht ankesat bëhen brenda 24 orëve”, ka thënë Mulë Desku për Gazeta Blic.