Fitorja e thellë e Lëvizjes Vetëvendosje! (LV), me 50.28% në zgjedhjet e fundit nacionale, i ka shtyrë partitë e tjera drejt një akti të detyrueshëm, një reforme të domosdoshme. Elektorati i gjerë, aktivistët dhe anëtarët e shumtë në disa subjekte politike, filluan t’u kërkonin “llogari” të parëve të tyre, pas rezultateve të ulëta të korrura në zgjedhje. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), qe ndër ato që e hetoi më së shumti këtë presion elektoral, aq sa u detyrua t’iu nënshtrohej zgjedhjeve të brendshme para kohe, shkruan Kosova Post.
Në pjesën më të madhe të elektoratit të LDK-së vërehet një entuziazëm i rikthyer, pasi në krye të saj u vendos Lumir Abdixhiku. Në ditën e zgjedhjes ai e kujtoi trashëgiminë politike të LDK-së, si një bazë mbi të cilën pritet të ndërtohet “faqja e re” e historisë, për siç e thotë edhe ai vetë, me “me synime e qëllime për ta kthyer LDK-në në vendin e saj meritor në skenën politike kosovare.”
Për Gurakuç Kuçin partitë politike, duke përfshirë këtu edhe LDK-në, nuk dinë ç’është reforma e vërtetë. Ndërsa i kujtoi disa raste konkrete, në historinë e shkurtër të demokracisë parlamentare në Kosovë, ai konstatoi se: “Ajo çka quhet reformë në Kosovë në realitet është përçarje e subjekteve politike.”
Po të bëhej fjalë për reformë, sipas tij, “partia do shkonte në reformë totale nga poshtë-lartë dhe jo kryetari i ri të zgjidhet nga njerëzit e Isa Mustafës, të cilët dikur ishin imponuar për të zgjedhur edhe këtë të fundit. Pra, z. Abdixhiku është vazhdimësi e Isa Mustafës nëse e shikojmë si proces. Kjo nuk d.m.th që Abdixhiku nuk do jetë ndryshe, kemi rastin e znj. Vjosa Osmani e cila edhe pse u ngrit nga Fatmir Sejdiu, u largua nga ky dhe iu bashkua Isa Mustafës, në fund nuk iu bind as këtij të fundit por vazhdoi sipas interesit të saj apo interesit publik. Andaj, edhe fitorja e LV-së i ka tundur por nuk i shtyn uzurpokratët lehtë të largohen. Kemi rastin e AAK-së e cila ka më shumë se një vit që Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje dhe është vetëm ushtrues detyre i kryetarit dhe prapë nuk ka asnjë lëvizje. Po ashtu Nisma Socialdemokrate nuk e kaloj fare pragun dhe prapë mbetet me të njëjtit.”
Duke i komentuar këto zhvillime analisti Florim Zeqa për Kosova Post tha se:
“Fitorja e lartë e LV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit ka shkaktuar efekte kolaterale tek subjektet tjera. Humbja e thellë në këto zgjedhje e partive që qeverisën për dy dekada me vendin, i ka nxitur ato që të ndërmarrin hapa të shpejtë reformues brenda tyre, për të qenë sa më të përgatitura për zgjedhjet e ardhshme lokale, e ndoshta edhe të përgjithshme në rast dështimi të zgjedhjes së presidentit të ri. Pa dyshim se njëra ndër subjektet që u godit më së keqi në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte LDK-ja, e cila u përgjysmua kundrejt zgjedhjeve të 2019-s.”
Por sipas tij, “ndryshimet që ndodhen në LDK një muaj pas procesit zgjedhor janë larg pritjeve të elektoratit.”
Edhe opinionisti Kuçi konsideron se zgjedhjet e fundit të LDK-së, nuk ofrojnë dëshmi, të paktën jo deri më tani, që fjala është për reforma të vërteta, pasi “nëse do zgjidhej vërtet kryetari dhe kryesia e re, do bëhej pasi partia do shkonte në reformë totale nga poshtë-lartë dhe jo kryetari i ri të zgjidhet nga njerëzit e Isa Mustafës, të cilët dikur ishin imponuar për të zgjedhur edhe këtë të fundit. Pra, z. Abdixhiku është vazhdimësi e Isa Mustafës nëse e shikojmë si proces. Kjo nuk d.m.th që Abdixhiku nuk do jetë ndryshe, kemi rastin e znj. Vjosa Osmani e cila edhe pse u ngrit nga Fatmir Sejdiu, u largua nga ky dhe iu bashkua Isa Mustafës, në fund nuk iu bind as këtij të fundit por vazhdoi sipas interesit të saj apo interesit publik. Andaj, edhe fitorja e LV-së i ka tundur por nuk i shtyn uzurpokratët lehtë të largohen. Kemi rastin e AAK-së e cila ka më shumë se një vit që Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje dhe është vetëm ushtrues detyre i kryetarit dhe prapë nuk ka asnjë lëvizje. Po ashtu Nisma Socialdemokrate nuk e kaloj fare pragun dhe prapë mbetet me të njëjtit.”
Megjithatë, Kuçi mendon se duhet lënë kohës kjo çështje, për ta vërtetuar, nëse Abdixhiku do ta reformojë vërtetë partinë. Ka një shembull të cilit ai mund t’i referohet: Vjosa Osmani. Kjo e fundit, sipas Kuçit, u ngrit nga Fatmir Sejdiu, pastaj u rreshtua me Mustafën dhe tek në fund duke e ndjekur “interesin publik”, u bë bashkë me Kurtin. Abdixhiku, sipas tij, duhet t’i menaxhojë klanet brenda partisë, të cilat përfaqësohen nga figura si Agim Veliu, Driton Selmanaj e Lutfi Haziri.
“Hapat e ditëve në vijim të z. Abidixhiku janë ndërmjet asaj që të i jap të ardhme partisë që në start me konstruktivitet duke shfrytëzuar situatën që partitë tjera nuk reformohen dhe kështu në një të ardhme të mbesin vetëm LVV dhe LDK si parti të mëdha dhe që e kalojnë pragun. Apo të bëj hapa sipas stilit dhe imponimit nga Isa Mustafa dhe klika e tij që ta shkatërrojnë përfundimisht LDK-në” – u shpreh Kuçi për Kosova Post.
Ramazan Bekteshi, një aktivist i moçëm i LDK-së në diasporë, konsideron që fjalimi hyrës i Lumir Abdixhikut ditën e zgjedhjes së tij në krye të partisë, do të duhej të përmbante nota kërkim faljeje.
“Sot jam i detyruar që t’u kërkoj ndjesë LDK-istëve më të përkushtuar, që me sakrificat e tyre sublime e bënë LDK-në një akademi politike, një institucion të pavarësisë, dhe një subjekt me përmasa ndërkombëtare që degët e saja shtriheshin në katër kontinente. Më falni, LDK-istë të mi, sepse sot s’kam me çka t’ju lavdërohem e as të krenohem, sepse tash e një dekadë, LDK-ja jonë ka qenë një peng i kryetarit tani në dorëheqje, një humbëse serike pa asnjë fitore të vetme të të gjitha zgjedhjeve, humbëse e madhe e bastioneve të saja duke përshirë edhe Prishtinën.”
Pra, sipas tij, për një rënie kaq të madhe të LDK-së, fajin e ka struktura e deridjeshme e partisë. Këtë e vë në dukje edhe analistit Zeqa:
“Kuvendi Zgjedhor ishte i orkestruar nga lideri paraprak dhe mbështetësit e tij. Kthimi i votës së fshehtë nga aklamacionistët e deri-djeshëm ishte vetëm kamuflim për të mashtruar opinionin kinse për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe për të mbuluar komplotin ndaj Besian Mustafës dhe mposhtjen e Lutfi Hazirit. Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk erdhi si produkt i angazhimeve të gjata dhe meritave në LDK, por si produkt i kryetarit paraprak, i cili përmes tij e synon mbajtjen edhe më tutje nën kontroll të plotë të LDK-së. Mospërfshirja në Këshillin e Përgjithshëm e shumë figurave markante të LDK-së dhe kandidatit për kryetar, zotit Besian Mustafa, e tregon qëllimin e këtij kuvendi për zhveshjen e totale të LDK-së nga fryma rugoviane. Qëllimi i Isa Mustafës nuk ishte ndryshimi por vazhdimësia. Ai këtë e arriti me lehtësi falë shumicës së delegatëve që janë produkt i tij.”
I pyetur nëse në do të krijohet një kontekst i ri për rikthimin e Vjosa Osmanit, ai është skeptik se mund të ndodhë një gjë e tillë:
“Sa i përket atmosferës së përshtatshme për rikthimin e Vjosa Osmanit në gjirin e vjetër të partisë, pas zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së, situata është komplikuar akoma më tepër, për faktin se Vjosa Osmani synim e kishte postin e kryetarit të partisë e jo më pak se kaq. Megjithatë çdo gjë mbetet relevante deri pas zgjedhjes së presidentit të vendit, post për të cilin zonja Vjosa Osmane i ktheu shpinën LDK-së dhe ju bashkua radhëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Të drejtë morale të thirren në frymën rugoviane apo filozofinë politike rugoviane e kanë të gjithë ata që e ndjejnë në shpirt dhe e zbatojnë në vepra ideologjinë e tij politike, por jo edhe ata që thirren në frymën rugoviane, ndërsa në anën tjetër u shërbejnë ideologjive tjera politike.”
Ua kujtojmë se zgjedhjet e 14 shkurtit LDK është renditur e treta, me vetëm 12,731% vota të grumbulluara./I.Topanica/KosovaPost/