Fabrika e Feronikelit, sipas një hulumtimi të Preportr, ka ndikuar në ndotjen enorme të ambientit në vitet e fundit, e për rrjedhojë, edhe në përkeqësimin e shëndetit të banorëve, raporton Kosova Post.
Sipas hulumtimit me titull “Kontaminimi i përditshëm”, dyshimet se ndotja është duke ndikuar në rritjen e rasteve me kancer, janë mjaft të qëndrueshme.
“Banorët e fshatrave që shtrihen rreth fabrikës së Ferronikelit ankohen për ndotje të vazhdueshëm të ajrit, ujit dhe tokës nga kjo kompani. Për ta problem është bërë edhe hedhja e skories në deponinë afër shtëpive të tyre. Gjatë transportimit të skories kamionët nuk mbulohen dhe nga ta rrjedh uji i kësaj materie në rrugë. Kimistët thonë që skoria është e dëmshme për organizmin e njeriut dhe mjedisin. Kjo deponi nuk po respekton lejen mjedisore” – thuhet ndër të tjera në hulumtim.
Përveç kontaminimit të ajrit, edhe uji dhe toka janë prekur, ndërsa efektet vërehen qartë edhe në mjedis.
Deponia e ‘skories’, apo shlakës, siç e quajnë banorët, që është një nën-produkt i ngelur nga procesi i shkrirjes së xehes, ndodhet mjaft afër shtëpive të fshatit Çikatovë të Vjetër. Ata ankohen që as të mbjellat që i kultivojnë vetë, nuk i konsumojnë lirshëm. “Asgjë të mirë” sipas tyre, nuk përfitohet, shkaku i skories.
Mbetjet nga procesi i përpunimit të xeheve, tashmë i kanë kontaminuar edhe ujërat. Degradimi i mjedisit, është i dukshëm.
“Për t’i evituar këto pasoja që shkaktohen nga deponimi i skories, në lejen e integruar mjedisore që Ministria e Ambientit ia ka dhënë NewCo Ferronikelit në vitin 2017, thuhet se kjo kompani është e obliguar ta ndërtojë bazamentin e deponisë nga shtresa e argjilës e ngjeshur me trashësi minimale prej gjysmë metri. Kjo shtresë, ndër të tjera, pamundëson kontaktin e skories dhe ujit të skories me dheun dhe rrjedhimisht ujërat nëntokësore.
Por gjatë vizitave në terren, ekipi i Preportr nuk e ka vërejtur se është vendosur kjo shtresë me argjilë me trashësi prej gjysmë metri. Në kompaninë Ferronikeli, thonë se kjo shtresë nuk është vendosur sepse vendi ku po hidhet skoria e ka shtresën natyrale të argjilës, pasi që sipas tyre, në atë gropë paraprakisht është gërmuar për xehe derisa është arritur te shtresa e argjilës.
Siç duket kjo deponi mund të jetë ndërtuar në mënyrë joligjore, sepse në lejen e integruar mjedisore nuk përmendet që ai lokacion e ka një shtresë natyrale të argjilës, por e parasheh që aty duhet të ndërtohet domosdo shtresa e argjilës prej 50 centimetrave” – thuhet më tej në hulumtim.
Pulmologia Rukije Mehmeti, nuk e përjashton mundësinë që sëmundjet kronike të përhapura në një vend, të kenë lidhje me këta faktorë të jashtëm. Ajo iu referohet studimeve që janë bërë nëpër vendet e ndryshme në botë:
“Përveç këtyre sëmundjeve, prania e metaleve dhe substancave tjera mund të ndikojnë në rritjen e numri të të sëmurëve me kancer të mushkërive, por edhe të gjitha organeve tjera. Kjo për faktin se nëse diçka kalon dhe përthithet në rrugët e frymëmarrjes, diçka patjetër ka për të kaluar edhe në enët e gjakut dhe përmes tyre bartet edhe në organet tjera.”
Efektet negative në sistemin e frymëmarrjes tek banorët të cilët jetojnë në mjedise të tilla të kontaminuara, nuk vërehen menjëherë, por më vonë, ato mund të shkaktojnë sëmundje të pashërueshme.
Sipas hulumtimit, të dhënat e siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, vetëm gjatë periudhës 2015-2019 në gjykatat e Kosovës, thuhet se janë parashkruar 1644 lëndë që kanë të bëjnë me mjedisin.
“Përveç lëndëve penale, parashkruhen edhe ato për kundërvajtje. Ne kemi siguruar një lëndë që ishte iniciuar në gjykatë si kundërvajtje ndaj Ferronikelit për shkak të ndotjes së mjedisit, por ajo është parashkruar në vitin 2015. Preportr ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Drenas të gjitha lëndët penale dhe të kundërvajtjes ndaj Ferronikelit në dhjetë vitet e fundit, por edhe pas pritjes për tre muaj, kjo gjykatë nuk na ka ofruar këto të dhëna” – thuhet më tej në hulumtim.
Instancat e tjera relevante, si inspektoriati, thonë se “do të bëjnë inspektimin e radhës për të verifikuar shkeljet e pretenduara”. Ndërsa vetë zyrtarët nga Ferronikeli thonë se “ndotja është brenda normave të lejuara.” Por qytetarët e Drenasit, ndihen të viktimizuar. Sipas tyre ndotja e ajrit, dheut dhe ujit, po e rrezikon seriozisht shëndetin e tyre./I.Topanica/KosovaPost/