Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në takimin virtual që ka pasë me kryetarët e komunave ka informuar ata me masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 27shtator 2021.
Një prej masave që do të ndryshojë nga ato aktuale është për gastronominë, e cila do të vazhdojë me të njëjtin orar, por tashmë do t’i lejohet puna brenda lokaleve për personat që ofrojnë dëshmi të vaksinimit ose teste përkatëse.
Kjo nuk vlen për ambientet e jashtme të gastronomisë.
Ndërkaq, liria e lëvizjes mbetet e kufizuar njëjtë, nga ora 22:00 – 05:00.
Po ashtu, institucionet do të punojnë me kapacitete të plota, personeli duhet të ofrojë dëshmi të vaksinimit ose teste përkatëse.
Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë me datën 27 shtator ku në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës. Në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi mbahet në dy grupe.
Personeli i Sektorit Publik dhe Privat, të cilët kanë punë me palë, duhet të janë të vaksinuar ose të ofrojnë dëshmi për testet relevante.
Në këtë takim, nga kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit tjerë komunalë të pranishëm në këtë takim online me ministrin e Shëndetësisë u paraqiten edhe sfidat dhe nevojat aktuale që janë në komunat e Kosovës me theks të veçantë lidhur me fillimin e procesit mësimor.
Në të njëjtën kohë nga të gjithë u kërkua që të kenë vigjilencë në respektimin e këtyre masave për parandalim të përhapjes së virusit.