Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një komunikate në faqen e saj zyrtare i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, që të dalin nga “gëzhoja e interesave politike sepse situata me pandeminë është shumë serioze”.
Sipas AAK-së, Qeveria duhet t’i angazhojë të gjithë potencialet nacionale në luftën kundër pandemisë, njofton Klan Kosova.
Partia e Ramush Haradinajt ka kërkuar gjithashtu nga qeveritarët që të vizitojnë edhe spitalet për të parë gjendjen e të infektuarve me COVID-19.
Komunikata e plotë:
Kryeministër Kurti
Ministër Vitia
Vizitoni spitalet e gjeni zgjidhje. Jemi në kohë pandemie. Dilni nga gëzhoja e interesave politike!
Bëhuni serioz dhe mos e nënçmoni popullin.
Shikoni shifrat e fundit. Nuk janë numra, janë vdekje!
Reflektoni e leni frazeologjitë e bukura. Lejoni të ju ndihmojnë. Angazhoni të gjithë potencialet nacionale, publike dhe private, shoqëri civile e profesionistë.
Veproni e mos bëni sehir!