Njohësi i çështjeve politike në vend, Belul Beqaj, thotë se në zgjedhjet e ardhshme Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund të mbetet jashtë parlamentit.
Beqaj, duke folur për rezultatin e dobët të AAK-së në zgjedhje, tha se nuk do ishte opsion dorëheqja e Ramush Hardinajt nga pozita e kryetarit, pasi një gjë e tillë do të sillte shuarjen komplet të AAK-së.
“Doreheqja e kryetarit te partisë do të shuante partinë shumë shpejtë, ndërsa vazhdimi i udhëheqjes do të margjinalizojë fillimisht deri ne zgjedhjet e ardhshme, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme do të mbetet parti jashtëparlamentare” deklaroi Beqaj.
Më tej ai potencon se nuk pret reforma brenda këtij subjekti politik për shkak të mënyrës se si kjo parti është formuar.
“Natyra e formimit te AAK -se, është e tille, që nuk premton reforma, ngase është e pa imagjinueshme që reformat te ndodhin me Ramush Haradinaj, në njërën anë, dhe të bëhen pa të, në anën tjetër “
Ndërsa analisti, Dorajet Imeri , duke marrë parasysh rezultatin e AAK-së me 14 shkurt, thotë se ky subjekt politik duhet të bëjë reforma të shpejta.
Ai thekson se duhet të bëhet hapja e partisë me kuadro të reja pasi votuesi i këtij subjekti politik në këto zgjedhje është reduktuar ndjeshëm.
“Aleanca për ardhmërinë e Kosovës, sikundër çdo parti politike në Kosovë, duhet ta ketë të qartë se qytetari I Kosovës kërkon ndryshime, ndryshime këto që duhet të nisin nga vetë partitë politike, si në strukturat e saj, ashtu edhe në ofertat politike. Ndryshimi i strukturës së votuesve kërkon që të ketë ndryshime edhe përbrenda partive politike, me c’rast hapja e partive për kuadro te reja të profileve të ndryshme është kërkesë permanente për çdo parti politike” deklaroi Imeri për Gazeta Blic. Tutje Imeri potencon se nuk mund të parashikohet një rezultat për zgjedhjet e ardhshme sa i përket kësaj partie, por thekson se trendi është tepër negativ.
“Deri në ditën kur do të mbahen zgjedhjet e reja, partitë duhet t’i kenë parasysh këto veprime, për AAK-në, ndryshimet janë edhe më emergjente, pasi ajo tash e ka të qartë se votuesi i saj është reduktuar ndjeshëm. Matësi më i mire ishin zgjedhjet që sapo përfunduan, ndërsa tregues tjetër do të jenë zgjedhjet lokale që mbahen në fund të vitit. Është larg të mendohet se si do të dal AAK-në zgjedhjet e ardhshme, por trendi është tepër negativ dhe kjo parti duhet ta shoh me shumë shqetësim”
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-ja) është renditur subjekti i katërt politik në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kjo parti politike ka pasur një rënie të ndjeshme në këto zgjedhje duke shkuar në kuotën e 7% nga 12 % që ishte në zgjedhjet e kaluara.
Pas këtij rezultati, nga ky subjekt politik kanë dhënë dorëheqje kandidati për deputet Rasim Selmanaj dhe kryetari i AAK-së dega Gjilan, Agim Zuzaku.