Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka njoftuar se kandidat për kryetar të Komunës së Pejës do të jetë Arbër Tolaj, përcjell Kosova Post.
Haradinaj tha se ky vendim është marrur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të degës.
‘Strukturat e Aleancës, me respektin më të madh për kryetarin e deritashëm z. Arbër Grabovci vlerësuan kontributin e tij të deritashëm, e gjithashtu respektuan edhe vendimin e tij për dorëheqje. Gjithashtu, nën udhëheqjen e u.d. të kryetarit z. Feim Ademaj, u mbajt edhe mbledhja e Këshillit Drejtues të degës, ku me votë unanime, me një unitet e dakordim të të gjitha gjeneratave të Aleancës, aktivistëve të rinj e të vjetër, Dr. Arbër Tolaj u zgjodh kryetar i Degës së Aleancës në Pejë, si dhe kandidat për kryetar të Komunës së Pejës’, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
‘Dr. Arbër Tolaj i lindur e i rritur në Pejë, me karrierë të suksesshme në sektorin e shëndetësisë, ka qenë deputet i Aleancës dhe anëtar në Kryesinë qendrore të saj.
Emërimi i tij, me një unitet të paparë më herët në radhët e strukturave, të cilat u besatuan në përkrahje të parezervë ndaj tij, kthen shpresën se Peja do të ketë një udhëheqje që e meriton.
Urime Aleancë! Urime Pejë’, shtoi Haradinaj.