Të martën më 7 dhjetor pritet të mbahet seanca inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Deri më tani, partia fituese nuk ka arritur ndonjë koalicion me partitë e tjera, të paktën ende zyrtarisht nuk kemi ndonjë koalicion të arritur.
Dje në media u publikuan disa emra drejtorësh, ku mes tyre kishte edhe figura nga partitë e tjera. Në mesin e emrave të publikuar, ishte edhe Kushtrim Mushica, për të cilin u përfol se do t’i besohet udhëheqja me Drejtorinë e Sportit.
Ndërkaq, burime të IO thonë se Daut Haradinaj në takime me asambleistët dhe zyrtarë të degës së Prishtinës ka deklaruar se do të jenë në opozitë gjatë këtij mandati qeverisës.
Siç mësohet, LDK i ka bërë ofertë për bashkëqeverisje në Prishtinë AAK-së, por kjo ofertë është cilësuar si joserioze nga këta të fundit.
Vet Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook, publikoi një fotografi në prezencë të asambleistëve të Aleancës. Haradinaj njoftoi se nuk do të jetë pjesë e asamblesë së Prishtinës, duke ia liruar vendin Taulant Maxharrajt.
‘Aleanca në Prishtinë ka korrur sukses të konsiderueshëm dhe do të punojmë bashkë në konsolidimin e degëve të Prishtinës me kuadro të reja dhe profesionale. Ne do vazhdojmë përkushtimin tonë në cilindo pozicion që jemi’, u shpreh ai. Gjithashtu, edhe i përfoluri për drejtor të Drejtorisë së Sportit, Kushtrim Mushica në Facebook publikoi një fotografi sot me Haradinajn, duke dhënë sinjale se janë unik në qëndrimin e tyre.
Kujtojmë se në këtë mandat, AAK në Kuvendin Komunal të Prishtinës përfaqësohet nga 6 asambleistë, duke shënuar rritje nga 5 sa i kishte në mandatin e kaluar.