Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë një konference të mbajtuar sot ka reaguar drejt qeverisë Kurti duke e kritikuar për mos publikimin e Programit qeverisës, shkruan Kosova Post.
Nënkryetarja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se Qeveria Kurti nuk ka treguar që ka vizion qeverisës.
“Sfidat me shëndetin publik dhe performacën publike nuk lejojnë komoditet as nga Qeveria dhe as nga opozita. Jemi në përmbyllje të muajit të parë të qeverisë Kurti dhe nuk kemi program qeverisës. Ky është një paradoks që një qeveri mund ta bëjë. I zoti i shtëpisë prioritet duhet ta ketë shtëpinë e vet. Qeveria nuk ka treguar që ka vizion të qartë. Qytetarët kanë të drejtë të informohen se çfarë po ndodh me qeverinë”, tha ajo.
Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri tha se kjo Qeveri ka ardhur me premtime të mëdha, por që puna nuk po shihet.
“Realisht punë nuk po shihen askund. Tash janë dy muaj ku zgjedhjet kanë përfunduar. E para ka të bëjë me energjinë – nuk guxon të rritet çmimi i energjisë, në program duhet të përfshihet miratimi i Ligjit për paga që rregullon pagën edhe të mjekëve e policëve. E treta ka të bëjë me Policinë, pra sigurimin shëndetësor dhe pensionimin”, ka deklaruar ai.