Dje Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u takua me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti, me të cilin biseduan për çështjen e dialogut, shkruan Kosova Post.
Kryetari i LDK-së Abdixhiku, pas takimit, tregoi për sugjerimet të cilat ia kishte dhënë Kryeministrit Kurtit, rreth çështjes së dialogut.
“E bëmë një ofertë ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Kryeministri e ka një dokument, pozicionin politik të LDK-së që duhet ta trajtojë në dialog në Bruksel. Ky dokument përmban parime që Kosova duhet t’i mbrojë” – tha ai ndër të tjera para gazetarëve.
Më vonë u publikua edhe dokumenti të cilin ai ia dorëzoi kryeministrit, ndërsa ra në sy gjuha që ishte përdorur me këtë rast. Ndonëse të dy, edhe Kurti e edhe Abdixhiku janë shqiptarë, në dokument nuk ishte përdorur gjuha shqipe, por ajo angleze.
Kjo ishte një arsye e mjaftueshme që Shkëlzen Gashi, ish këshilltar i kryeministrit, të ironizonte në rrjetet sociale:
“Po e lexoja një dokument që Kryetari i LDK-së ia kishte dërguar sot Kryeministrit të Kosovës, të titulluar “Position of the Republic of Kosovo on Dialogue with the Republic of Serbia”. Duke qenë se Kryetari i LDK-së dhe Kryeministri i Kosovës janë shqiptarë, pse ky dokument në gjuhën turke?”
Komentet e miqve dhe ndjekësve të Gashit në rrjetin social Facebook, qenë të ndryshme. Disa prej tyre thanë se në këtë rast është përdorur “gjuha e pushtuesit”.
Për më shumë, shihni fotot:
Në periudhën e Perandorisë Osmane, gjuhë administrative – zyrtare, ishte gjuha turke, përkatësisht – osmane. Gashi dhe disa nga komentuesit, aluduan pikërisht në këtë periudhë./KosovaPost/