Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj në 22-vjetorin e rënies.
Abdixhiku ka thënë se veprën e Sali Çekajt e ruan si trashëgimi politike e atdhetare për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Sot kujtojmë Sali Çekajn, heroin e Kosovës, në njëzetedyvjetorin e rënies së tij në Betejën e Koshares, veprën e të cilit e ruajmë si trashëgimi politike e atdhetare për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Rezistencën e tij politike e nisi përmes aktivitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, krah presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Në kohën kur i nevojitej më së shumti vendit tonë ai me pushkë në dorë iu bashkua radhëve të UÇK-së në Koshare dhe kështu u shndërrua në Heroin e pavdekshëm të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Ai e ka kujtuar heroin edhe si një intelektual i rrallë dhe ushtarak i kalibrit të lartë, i cili ishte detyruar nga regjimi serb ta lëshonte Kosovën.
“Sali Çekaj intelektual i rrallë, jurist me profesion dhe ushtarak i kalibrit të lartë, ishte detyruar nga regjimi okupues serb që të largohej nga Kosova, por aktivitetin e tij nuk e ndali asnjëherë. Si nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjermani, u bë organizator i shkëlqyeshëm i shqiptarëve për të ndihmuar materialisht e politikisht çlirimin e Kosovës”, është shprehur kreu i LDK-së.