Kryetari i komisionit të inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve të Amerikës me anë të një deklarate, ka mbështetur planin e Qeverisë së Biden për negociata të reja me Iranin, transmeton Kosova Post.
Faqja informative Hill të premten ka shkruar se Adam Schiff në këtë deklaratë pretendoi se mirëpret deklaratën e Qeverisë së Joe Biden që synon të bëjë përpjekje të reja diplomatike në bashkëpunim të afërt me aleatët evropianë.
Edward Price, zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, të premten në mëngjes, ka deklaruar: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta pranojnë ftesën e shefit të diplomacisë evropiane për të marrë pjesë në takimin e Grupit 5+1 dhe Iranit për të diskutuar gjetjen e një rruge diplomatike në lidhje me programin atomik të Iranit”.
Qeveria e re e Amerikës e drejtuar nga Joe Biden ka pohuar dështimin e politikës së Trump ndaj Iranit dhe ka thënë se duke marrë parasysh faktin se dalja e njëanshme e Amerikës nga marrëveshja bërthamore ka rezultuar me izolimin ndërkombëtar të Amerikës, synon ta kthejë Amerikën në këtë marrëveshje të miratuar nga KS i OKB. Pavarësisht kësaj, funksionarët e qeverisë së Biden gjatë ditëve të kaluara kanë thënë se kthimi i Uashingtonit në marrëveshjen bërthamore do të bëhet pas tërheqjes së Iranit nga veprimet kompensuese të tij.
Këto deklarata bëhen në kohën kur Uashingtoni është pala e cila së pari kishte shkelur marrëveshjen bërthamore dhe në mënyrë të njëanshme ka dal nga kjo marrëveshje.