Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar për regjistrimin e vdekjes së parë të shkaktuar nga infektimi me virusin e rrezikshëm “Marburg” në Guine në Afrikën Perëndimore, transmeton Kosova Post.
Kanali televiziv Euronews njoftoi se zyra e OBSH në Afrikë në një raport të saj ka deklaruar: “Virusi i epidemisë “Marburg” i cili i përket familjes së virusit Ebola, është vërejtur në Guine dy muaj pas shpalljes së përfundimit të epidemisë së Ebolas në këtë vend. Rreziku i kësaj sëmundje epidemiologjike në këtë vend dhe në rajonin e Afrikës Perëndimore është i lartë kurse në nivelin ndërkombëtar është në nivel të ulët”.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka kërkuar përpjekje të unifikuar për parandalimin e transmetimit të këtij virusi dhe për të mbrojtur shoqëritë e tjera. Virusi Marburg është një lloj sëmundje epidemike e rrallë dhe e rrezikshme që shkakton temperaturë dhe gjakderdhje të brendshme te personi i sëmurë. Kjo sëmundje virusi i të cilës është shumë i ngjashëm me virusin Ebola, për herë të parë është zbuluar në vitet 1960 në qytetet Marburg dhe Frankfurt në Gjermani dhe është emëruar me këtë emër.