Mediat në Kosovë janë duke kaluar nëpër vështirësi të mëdha, veçmas edhe për shkak të pandemisë. Kjo u vu në dukje gjatë një konference të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, shkruan Kosova Post.
Në konferencën e organizuar nëpërmjet Zoom-it, klima e të bërit gazetari në Kosovë, u cilësua si e papërshtatshme.
Konferenca pati për fokus çështja e sfidave me të cilat përballet liria e shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve, sigurisë së gazetareve online dhe zbatimit të sundimit të ligjit në luftimin e mosndëshkimeve për krimet kundër gazetarëve.
“Klima aktuale nuk flet për një shtet me demokraci të avancuar” – tha ndër të tjera Gentiana Begolli, Kryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Begolli nënvizoi disa vështirësi konkrete, me ç’rast rastet ndaj gazetarëve marrin përgjigje të vonuara nga sistemi i drejtësisë.
Pjesëmarrës pjesë e panelit të kësaj konference ishin:
Ambasadori Michael Davenport – Adresim përmes videos nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë;
Znj. Ulrika Richardson – Koordinatore për Zhvillim e KB-së;
Lars-Gunnar Wigemark – Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX);
Znj. Nancy Soderberg – Drejtoreshë e Lartë e NDI për Kosovë;
Imer Mushkolaj – Drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës;
Znj. Ardiana Thaçi – Gazetare;
Betim Musliu – Gazetar;
Darko Dimitrijevic – Gazetar;
Znj. Flutura Kusari – Juriste e së drejtës së medias;
Ricardo Gutiérrez – Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve.
Në fjalën e tij, Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara, vuri në dukje faktin se raportet e institucioneve shtetërore karshi mediave dhe anasjelltas, nuk janë në nivelin e duhur:
“Viteve të fundit kemi parë një qasje jo të duhur të institucioneve ndaj gazetarëve” – tha Mushkolaj. Po ashtu ai vërejti se perceptimi që mbizotëron në opinionin publik, se “mediat mund të shkruajnë çkado që t’ju teket”, është i gabueshëm.
Sipas Mushkolajt “jo vetëm institucioneve dhe grupeve të interesit, por edhe qytetarëve” duhet t’u mësohet rruga se ku duhet të ankohen, po qe se konsiderojnë se mediat nuk kanë raportuar mirë. Ai po ashtu tha se gazetarëve duhet t’iu kujtohet “kodi i etikës”.
“Mediat nuk duhet të shpifin qëllimshëm” – tha Mushkolaj. Sipas tij, në ditët e sotme, ka edhe raportime jokorrekte, të cilat janë në kundërshtim të plotë me etikën gazetarisë.
Me moton “e vërteta duhet ndriçuar!”, u dha edhe një video nëpërmjet së cilës u kujtuan gazetarët e rënë që nga paralufta.
Gazetarja Ardiana Thaçi në fjalën e saj provoi të trajtonte çështjen e lajmeve të rreme. Sipas Thaçit, lufta ndaj Fake News, në ditët e sotme, është shumë e vështirë.
Problemet themelore të të bërit gazetari, sipas Betim Musliut, ndërkaq “kanë të bëjnë me mungesën e zbatimit të kornizën ligjore.” Edhe gazetari Musliu iu referua fenomenit të “lajmeve të rrejshme” lufta ndaj të cilave, është sfiduese. “Ne jemi cak i sulmeve sistematike” – tha Musliu.
Flutura Kusari, Juriste e të drejtës së medias, u ndal në fenomenin e “pandëshkueshmërinë”. Sipas saj, ndryshe trajtohen rastet kur sulmohen politikanët, e ndryshe kur sulmohen gazetarët. Ajo përmendi raste konkrete ku ky fenomen, vihet në dukje.
Sipas saj, barrën e përgjegjësisë në këtë mes e bartin kryesisht policia, prokuroria dhe gjykata.
Konferenca i mbylli punimet me thirrje për mbështetje të komunitetit të mediave, përkatësisht gazetarëve./KosovaPost/