Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar sot gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bekim Jashari, i cili ka thënë se Bashkimi, ashtu si në luftë, edhe sot në paqe do të vazhdojë rrugën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit dhe Shaban Jasharit për ta fuqizuar ushtrinë e Kosovës.
“Gjenerali nga familja jonë, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Bashkim Rifat Jashari, sot është emëruar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë sonë të ndërtuar mbi rrugën e trasuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Bashkimi, ashtu si në luftë krah balit Adem, babushit Hamëzës e babës Shaban, edhe sot në paqe do të vazhdojë rrugën e tyre, duke kontribuar në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtarë”, ka shkruar Jashari.
Ai ka uruar Bashkim Jasharin për detyrën e re, ndërsa është shprehur se do të donte që komandanti i UÇK-së Adem Jashari të ishte gjallë për të parë që Bashkimi po udhëheq me ushtrinë e Kosovës.
“Ah sikur të ishte gjallë Komandanti Legjendar Adem Jashari, të të shihte duke udhëhequr ushtrinë e shtetit tonë, për të cilin luftoi deri në rënien heroike të tij, bashkë me familjen dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Urime Komandant Bashkim Jashari!”, ka shkruar Jashari në Facebook.