Oficerë të policisë dhe të doganave gjermane kryen dhjetëra bastisje në të gjithë vendin për të ndaluar tregtinë e pretenduar të punëtorëve të përkohshëm që vijnë nga vende jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë vendet e Ballkanit, transmeton Kosova Post.
Policia federale në Berlin njoftoi në Twitter se bastisjet filluan në orën 7 të mëngjesit dhe se policia kontrolloi shtëpi dhe kompani, duke u fokusuar në kryeqytetin gjerman dhe provincën e Brandenburgut, por edhe në Bremen dhe Saksoninë e Ulët, raporton agjencia AP.
Rreth 1000 oficerë policie janë përfshirë në bastisje dhe një hetim kundër 20 personave të dyshuar për përfshirje në falsifikimin e pretenduar të dokumenteve të shtetësisë së BE-së dhe vendosjen e punëtorëve në kompani të mëdha logjistike.
Policia ka kryer disa urdhër-arreste dhe ka sekuestruar pasuri në vlerë prej disa milionë eurosh, por nuk jepen detaje të tjera.
Emrat e të dyshuarve dhe kompanive gjithashtu nuk u publikuan në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë.
Të dyshuarit dyshohet se drejtonin një rrjet të agjencive të punësimit të përkohshëm në Ballkan dhe Gjermani, duke përfshirë kompani fiktive.
Nëpërmjet këtyre kompanive, të dyshuarit, dyshohet se më pas kanë përfaqësuar punëtorë nga vende jo anëtare të BE-së si qytetarë të BE-së, duke përdorur dokumente identiteti të falsifikuara dhe duke i vendosur në kompani të mëdha logjistike gjermane.
Të dyshuarit i mbanin paratë që këto kompani i paguanin si paga për punëtorët e përkohshëm.