Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se janë në kërkimin e pesë personave në kuadër të operacionit të cilin e kanë zhvilluar sot në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri.
Në njoftimin e policisë thuhet se ata kanë vazhduar hetimet intensive drejt identifikimit dhe arrestimit të personave që ndërlidhen me kontrabandimin e mallrave.
“Policia e Kosovës, fton të gjithë qytetarët që të mos bien pre e asnjë provokimi të mundshëm dhe njëkohësisht kërkon bashkëpunim në ofrimin e informacioneve me qëllim arrestimin e personave të dyshuar dhe sjelljes së tyre pranë organeve të drejtësisë”.
“Numrat kontaktues: 192, 038 550 999 ose pa pagesë në 0800 19999, të gjitha informacionet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale.
“Njëkohësisht Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu pos personave që janë në kërkim, policia ka arrestuar edhe tetë persona.