Kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së Meliza Haradinaj kishte rezultuar të këtë fituar 3715 vota, kur në QNR të KQZ-së, më 26 shkurt 2021, ishin përllogaritur votat e kandidatëve të AAK-së për deputetë, bazuar në formularët e parë FRK të rezultateve zgjedhore të 14 shkurtit.
Këto vota, asaj i nuk i jepnin asnjë shanse që të behej deputete.
Mirëpo rezultatet finale të publikuara sot nga KQZ-ja, Meliza Haradinaj-Stubllas, rezultojnë se për një javë i janë shtuar në mënyrë të dyshimtë hiq më pak se 709 vota në QNR.
Sipas rezultateve finale, Haradinaj gjatë procesit të rinumërimit të rreth 500 vendvotimeve në Kosovë, votave me kusht dhe atyre të diasporës, në të tri proceset ka marrë çdo herë 1/3-en e votave të partisë, gjë që rezultatet tregojnë se një gjë të tillë nuk kanë arritur ta bëjnë as lideri i partisë Ramush Haradinaj, dhe vëllai i tij Dauti, që po ashtu është i dyti më i votuari në AAK.
E për këtë rast, në PZAP, të enjten, ankesë ka dërguar Florentina Gjergjaj, kandidatja e AAK-së që sipas formularëve të parë FRK kishte fituar mandatin që sot KQZ-ja ia dha Haradinajt, duke qenë fiks 150 vota në epërsi të ministres në detyrë, e cila radhitej dy vende më poshtë sesa Gjergjaj për nga numri i votave.
Në ankesën e Gjergjajt, të cilën e ka siguruar Gazeta Metro, ajo kërkon që të rinumërohen votat e saj, të Meliza Haradinajt dhe kandidates tjetër të AAK-së Albana Bytyqi.
Sipas Gjergjajt, Haradinaj duke qenë Ministre në detyrë ka përdoruar ndikimin e saj tek personat përgjegjës në QNR, për të manipuluar rezultatin zgjedhorë në favor të saj, duke e dëmtuar Gjergjajn.
Për Florentina Gjergjajn, kandidaten e AAK-së nga Gjakova, është i çuditshëm dhe shumë i dyshimtë edhe fakti se si në rezultatet e 01.03.2021, të nxjerra nga QNR-ja, ajo dhe Meliza Haradinaj figurojnë me numër të barabartë të votave, pas numërimit të votave me kusht.
E në lidhje me këtë ankesë ka reaguar Ministrja e Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla, ku përmes një postimi në Facebook ka thënë se për shpifjet dhe fyrjet që janë bërë drejt saj, kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë.
“Për shpifjet dhe fyerjet kundër meje të cilat po qarkullojnë në disa portale, kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë. Disa herë kam garuar në të kaluarën, dhe pavarësisht rezultatit, gjithmonë kam respektuar vullnetin qytetar”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.
Sipas dëshmive që Gjergjaj i ka bashkangjitur në PZAP, të gjithë kandidatët tjerë të AAK-së kanë patur ndryshime të vogla në shifra votash, sikurse edhe vetë ajo, për dallim nga Meliza Haradinaj e cila sipas atyre rezultateve është e vetmja që është ngritur dhe është pretenduar se ka fituar 1/3-en e votave me kusht që i kanë takuar AAK-së, gjë që as në këtë rast se ka arritur as lideri i partisë Ramush Haradinaj që ka qenë edhe bartës i listës.