Alarmante! Dhjetë shtete të botës kanë tërhequr njohjet e Kosovës

Alarmante! Dhjetë shtete të botës kanë tërhequr njohjet e Kosovës

Kështu ka deklaruar sot ambasadori i Britanisë së madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Ai në bisedë me qytetarët e Kosovës nëpërmes llogarisë së tij në Facebook i është përgjigjur një qytetari në lidhje me thashethemet që vijnë nga Serbia nëse po tërhiqen njohjet apo jo. Përgjigjja e tij ka qenë e shkurtër por tepër e qartë; “Po” ka thënë ai, “janë dhjetë shtete që kanë tërhequr njohjet, dhe kjo është fatkeqësi për Kosovën”.

I kontaktuar nga Kosova Post nëpërmes telefonit, njohësi i Lindjes së Mesme dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Dr. Mustafa Bajrami ka pohuar përafërsisht të njëjtën gjë. Në pyetjen tonë se si mund të ndodhë kjo, ai ka thënë se për këtë gjë kishte shkruar kohë më parë dhe kishte thënë se janë amatorë të diplomacisë ata që po thonë se njohjet nuk mund të tërhiqen.

Sipas tij, secili shtet është i lirë të njoh një shtet tjetër, sikur që, e ka të drejtën edhe ta tërheqë njohjen. Ajo që e mbanë një shtet të lidhur për një njohje ndaj një shteti tjetër, janë interesat dhe korrelacionet ndërkombëtare mbi të cilat ndërtohet interesat dhe relacionet mes shteteve.

Dr. Bajrami përmendi rastin e Tajvanit dhe të Saharasë Perëndimore. Për të parin shtet tha se kishte vizituar enkas për këtë çështje, ndërsa për Saharanë Perëndimore tha se e kishte përgatitur një studim enkas për filozofinë e njohjeve dhe ia kishte dërguar Ministrisë së Jashtme të Kosovës qysh në kohën sa ishte duke jetuar në Dubai.

“Dikur”, tha ai, “Saharanë Perëndimore e kishin njohur 56 shtete, ndër to edhe Shqipëria, por më vonë, sikur edhe Shqipëria, njohjet i kishin tërhequr mbi 30 shtete të ndryshme të botës”.