Analisti politike, Faton Mehmeti, konsideron se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe u.d. presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë dy plane lidhur me postin e presidentit.
Plani i parë ai deklaron se është që Kurti dhe Osmani të fitojnë mbi 60 deputetë, kurse plani i dytë është Murat Jashari.
“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po lozin me dy plane. Plani A është që të fitojnë mbi 60 vota dhe bashkë me minoritetet të zgjedhin Vjosa Osmanin presidente. Nëse nuk arrihet kjo do e propozojnë Murat Jasharin, të cilin s’do mund ta refuzonin asnjë nga partitë shqiptare”, ka deklaruar analisti Mehmeti.
Tutje, Mehmeti thekson se jashtë kësaj loje është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa potencon se gjasa më të mëdha për këtë pozitë ka ish-nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.
“Faktikisht, Ramush Haradinaj është jashtë loje, me gjasat e tij të pamundura. Osmani është e vetëdijshme se e ka të vështirë, mirëpo, nominimi i saj është bërë me qëllim që të tërheq më shumë vota. Gjithsesi, gara kryesore është mes Osmanit, nëse nuk arrihen votat është plani B, ai i Murat Jasharit. Ky është besoj plani i Vjosës dhe Albinit, varësisht nga rezultati i zgjedhjeve”, ka deklaruar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.