Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka zgjedhur gjyqtaren Albina Shabani-Rama kryetare të Gjykatës Themelore në Prishtinë
Nga 11 anëtarët e KGJK-së që votuan, Shabani-Rama mori shtatë vota.
Gjyqtari Arben Hoti mori votat e tre anëtarëve, gjyqtari Valon Kurtaj një votë, kurse gjyqtarët Vesel Ismaili dhe Fatime Dermaku nuk morën asnjë votë.
Në votim nuk mori pjesë anëtarja e KGJK-së, Radojka Trifunovic. Përzgjedhja e kryetares u bë me votim të fshehtë, ndërsa një minimum prej nëntë anëtarëve të KGJK-së nevojitej të votojnë.
Mandati i kryetares do të jetë pesë vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Gjyqtarja Albina Shabani-Rama është gjyqtare në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Deri në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ishte udhëhequr nga gjykatësja Afërdita Bytyçi. Pas skadimit të mandatit të saj, nga janari i këtij viti e deri më tani, kjo gjykatë është udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të gjykatës, Arben Hoti.Konkursi për kryetar të Gjykatës në Prishtinë ishte hapur më 27 janar 2021.
Për kryetar të kësaj gjykate kanë pasur mundësi të kandidojnë vetëm gjyqtarët e Gjykatës në Prishtinë, duke përfshirë degët e kësaj gjykate.Për t’u zgjedhur në këtë pozitë, një gjyqtar duhet të ketë së paku tre vite përvojë pune si dhe të mos ketë sanksion disiplinor me vendim të formës së prerë, përjashtimit masës së qortimit ose vërejtjes jo-publike në pesë vitet e fundit./Telegrafi