Ambasada e Francës në Prishtinë, për dallim nga ajo çka deklaroi ambasadori francez në Beograd, thotë se vendimi për aplikimin në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran, përcjell KosovaPost.
Kjo ambasadë thotë e ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e këtij këshilli, por se prioritet aktual është rinisja e dialogut për çka kërkon angazhim nga Kosova dhe Serbia.
“Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”, thuhet në deklaratën e kësaj ambasade.
Ambasadori i Francës në Beograd, Pierre Cochard, në deklarimin për një medium serb tha se aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është i njëanshëm dhe se si të tillë Franca nuk e mbështet.