Ambasada e Italisë në Prishtinë ka ngushëlluar popullin e Kosovës mbi aksidentin fatal në Kroaci me autobusin që po transportonte kosovarët për në vendlindje.
Sipas informacioneve të para 10 persona kanë ndërruar jetë, ndërsa 44 të tjerë janë të lënduar.
Ambasada e Italisë përmes një njoftimi në Facebook thanë se në mendjet e tyre janë familjet e viktimave derisa i kanë uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
“Ngushëllimet tona më të thella popullit të Kosovës për aksidentin tragjik të autobusit që ndodhi këtë mëngjes në Kroaci. Mendimet tona janë me familjet dhe miqtë e viktimave, ndërsa u dëshirojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, thuhet në postimin e tyre, transmeton klankosova.tv.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shpallur të hënën ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.