Ambasada iraniane në Beograd ka hedhur poshtë akuzat kundër Teheranit në lidhje me shpërthimin e fundit të anijes “Mercer Street” pranë Omanit, transmeton Kosova Post.
“Republika Islamike e Iranit mohon me vendosmëri çdo përfshirje në këtë incident dhe i konsideron pretendimet për përfshirjen e Iranit të njëanshme, të pabaza dhe të pavërteta,” tha ambasada në një deklaratë.
Ambasada thotë se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin pa dhënë arsye të forta, të dokumentuara dhe të pranueshme.
“Këto akuza nuk mbështeten nga informacione të besueshme dhe hetime të pavarura dhe të vlefshme, kështu që ne i refuzojmë me vendosmëri ato pretendime dhe paralajmërojmë për çdo veprim aventurier, përdorim force ose kërcënim të përdorimit të forcës nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. “Ne do t’i përgjigjemi çdo sulmi mbi interesat e Iranit dhe qytetarëve të Republikës Islamike të Iranit kudo”, thuhet në deklaratë.
Ambasada iraniane gjithashtu deklaron se Izraeli po përpiqet të ndikojë në procesin e negociatave për marrëveshjen bërthamore në Vjenë, duke kërcënuar se do ta bllokojë atë./Kosova Post./